E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË ADMINISTRATËS GJYQËSORE TË GJYKATAVE TË SHKALLËS SË PARË DHE TË GJYKATAVE TË APELIT

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË ADMINISTRATËS GJYQËSORE TË GJYKATAVE TË SHKALLËS SË PARË DHE TË GJYKATAVE TË APELIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2 e  5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10025 datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihet administrata gjyqësore e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

2. Struktura dhe nivelet e pagave të punonjësve të administratës gjyqësore, në gjykatat e shkallës së parë dhe në gjykatat e apelit, në pozicionet “Specialist”, “Sekretar gjyqësor”, “Kryetar dege”, “Kryesekretar gjyqësor” dhe “Përgjegjës i shërbimeve mbështetëse në Gjykatën e Krimeve të Rënda”, të jenë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Paga e grupit, (kolona 1), diplomë e shkollës së lartë, është 11 000 lekë në muaj.

4. Shtesa për vjetësi në punë, (kolona 2), jepet në masën 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se për 25 vjet dhe llogaritet mbi pagën e grupit.

5. Shtesa për pozicion është sipas kolonës 4, të lidhjes nr.1, të këtij vendimi.

Kategorizimi për çdo pozicion pune përcaktohet në urdhrin e miratimit të strukturës dhe të organikës së çdo gjykate.

6. “Specialistët”, në institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, që punojnë në pozicione, që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së administratës gjyqësore dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri elektronike” apo  “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 000 lekësh mbi pagën mujore të kategorisë përkatëse. Miratimi i kësaj shtese bëhet rast pas rasti, nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, në përputhje me përshkrimin e pozicionit të punës.

7. Punonjësit e tjerë të administratës së gjykatave, që nuk përfshihen në lidhjen nr.1, do të trajtohen në pagë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”.

8. Efektet financiare për vitin 2009 të përballohen nga fondet e miratuara për pushtetin gjyqësor, në buxhetin e vitit 2009.

9. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për zbatimin e këtij vendimi.

10. Të gjitha dispozitat, që bien në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin e efektet financiare nga data 1 janar 2009.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


14/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›