V E N D I M PËR NGRITJEN DHE ORGANIZIMIN E STACIONIT TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIT,
V E N D I M
PËR
NGRITJEN DHE ORGANIZIMIN E STACIONIT TË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIT, NË TUNELIN THIRRË-KALIMASH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në tunelin Thirrë-Kalimash, në anën, që lidhet me qytetin e Kukësit, të ngrihet stacioni i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, si pjesë e sistemit të Drejtorisë së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH).
2. Emërimi, titullimi, transferimi dhe lirimi nga detyra e oficerit të stacionit të PMNZSH-së në këtë objekt të bëhen nga ministri i Brendshëm.
3. Plotësimi me personel shërbimi i këtij stacioni të bëhet nga prefekti i qarkut, me propozimin e shefit të stacionit të PMNZSH-së së objektit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr.8766, datë 5.4.2001, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, dhe me aktet e tjera nënligjore, dalë në zbatim të tij.
4. Organizimi, drejtimi dhe formimi profesional i personelit të këtij stacioni të bëhen nga shefi i PMNZSH-së së objektit dhe të kontrollohen nga drejtoria e PMNZSH-së.
5. Efekti financiar për ngritjen dhe funksionimin e stacionit të PMNZSH-së, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi arrin vlerën 10 612 000 (dhjetë milionë e gjashtëqind e dymbëdhjetë mijë) lekë, për shpenzime personeli.
6. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
7. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
22/07/2009