E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT E TË KONTROLLIT TË FONDIT TË POSAÇËM, NË FUNKSION TË VEPRIMTARISË INFORMATIVE DHE PROCEDURALE PENALE, TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM

V E N D I M 

PËR 

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE TË PËRDORIMIT E TË KONTROLLIT TË FONDIT TË POSAÇËM, NË FUNKSION TË VEPRIMTARISË INFORMATIVE DHE PROCEDURALE PENALE, TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.10002,        datë 6.10.2008, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I :

1. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), në Ministrinë e Brendshme, ka dhe përdor  fondin e posaçëm të shpenzimeve, në funksion të veprimtarisë, informative dhe procedurale penale, brenda fondeve të buxhetit vjetor, miratuar për Ministrinë e Brendshme.

2. Ky fond të përdoret në:

a)     funksion të veprimtarisë informative, që përbëhet nga:

i)        Shpenzimet për shpërblimin e personave, që bashkëpunojnë me SHKB-në;

ii)       Shpenzimet për sigurimin e informacionit;

iii)      Shpenzimet për blerje e shërbime të drejtpërdrejta, të mjeteve e të pajisjeve;

iv)      Shpenzimet për marrje me qira të objekteve dhe të mjeteve;

v)       Shpenzimet për kryerjen e testit të integritetit.

b)     funksion të veprimtarisë procedurale penale, që përbëhet nga shpenzime për oficerin dhe agjentin e Policisë Gjyqësore ose personin e autorizuar, gjatë kryerjes së operacioneve, ku përdoren teknika të posaçme hetimi (përgjime, veprime të simuluara dhe infiltrime).

3. Vlera e fondit të posaçëm është 15 për qind e vlerës së buxhetit vjetor të   SHKB-së.

4. Kontrolli për shpenzimet e kryera nga fondi i posaçëm ushtrohet, jo më pak se një herë në vit, nga personat e autorizuar nga ministri.

5. Ngarkohet ministri i Brendshëm për nxjerrjen e udhëzimit përkatës për përcaktimin e procedurave të hollësishme, që duhen zbatuar, dhe të dokumentacionit, që duhet hartuar për përdorimin e këtij fondi.

6. Ngarkohet ministri i Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA


11/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›