V E N D I M PËR MIRATIMIN E LISTËS KOMBËTARE TË PROFESIONEVE
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS KOMBËTARE TË PROFESIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 27, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Miratimin e listës kombëtare të profesioneve, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Lista kombëtare e profesioneve të zbatohet nga ministritë e institucionet e tjera qendrore, organet e pushtetit vendor dhe personat, juridikë e fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike.
3. Lista kombëtare e profesioneve të zbatohet në këto veprimtari:
a) Mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore në fushën e profesioneve;
b) Regjistrimin e kërkuesit të punës, të përfituesit të pagesës së papunësisë, të vendit të lirë të punës dhe të të punësuarit;
c) Ndërmjetësimin për punë e profesion të kërkuesit të punës;
ç) Arsimin dhe formimin profesional të kërkuesit të punës ose të të punësuarit;
d) Migracionin e kërkuesit të punës, shqiptar ose të huaj, në shtete të tjera dhe në Shqipëri;
dh) Strukturimin e pagave në veprimtarinë, shtetërore dhe private;
e) Veprimtaritë e tjera, që miratohen nga Këshilli i Ministrave.
4. Lista kombëtare e profesioneve ndryshon dhe përshtatet, në bazë të rekomandimeve të Agjencisë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, në përputhje me kushtet e reja të zhvillimit dhe në bashkëpunim me partnerët socialë.
5. Nomenklatura e profesioneve përbëhet nga:
a) emërtimi i profesionit;
b) kodi numerik i profesionit;
c) përshkrimi i profesionit.
6. Kodi numerik i profesionit është një bashkësi me 6 shifra, të cilat tregojnë, përkatësisht,:
a) Shifra e parë “Grupin e profesionit”;
b) Shifra e dytë “Nëngrupin e profesionit”;
c) Shifrat e tretë dhe e katërt, së bashku, “Profesionin”;
ç) Shifrat e pestë dhe e gjashtë, së bashku, “Punësimin”.
7. Vendimi nr.272, datë 8.5.1995, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e nomenklaturës së profesioneve dhe punësimeve”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009