E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR TRAJTIMIN E KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR, NË AGJENCINË E TRAJTIMIT TË KREDIVE, PËR KRITERET DHE KUSHTET PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KREDISË, SI DHE PROCEDURAT E MARRJES NË

V E N D I M 

PËR 

TRAJTIMIN  E KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR, NË AGJENCINË E TRAJTIMIT TË KREDIVE, PËR KRITERET DHE  KUSHTET PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KREDISË, SI DHE PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE, TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA HUAMARRËSIT, TË ADMINISTRIMIT, SHITJES DHE DHËNIES ME QIRA APO ME ENFITEOZË TË KËTYRE PASURIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.9731,        datë 10.5.2007, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8894, datë 14.5.2002, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I :

I.      TRAJTIMI I KREDIVE TË TRANSFERUARA NGA BANKAT E NIVELIT TË DYTË, ME KAPITAL TËRËSISHT SHTETËROR

1.     Agjencia e Trajtimit të Kredive (më poshtë ATK), me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së kredisë me debitorin, ka të drejtë të ristrukturojë  njërën prej kushteve të mëposhtme, të parashikuara në këtë marrëveshje kredie.

1.1. Për debitorët, të cilët, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, e kanë patur shumën e principalit, deri në 3 000 000 (tre milionë) lekë:

a)  faljen, në masën 95%,  të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj-shtator 2009;

b)  faljen, në masën 90%, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën shtator-dhjetor 2009.

c)  faljen, në masën 80%, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën janar-qershor 2010.

ç) faljen, në masën 60%,  të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, në rast se paraqiten për të shlyer detyrimin pas muajit qershor 2010.

d) konvertimin, sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë në çastin e transferimit, për kreditë e transferuara në valutë.

dh)  periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se 1 (një) vit, nga data e lidhjes së kontratës së re. 

1.2. Për të gjithë debitorët, që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore (autokombajna, traktorë, makineri e agregate bujqësore), prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale, linjë prodhimi dhe përpunimi të produkteve, bujqësore dhe blegtorale, dhe mjete të transportit:

a) kushtet dhe afatet e përcaktuara në shkronjat   “a”, “ b”, “c”,  “ç”, ”d” e “dh”,  të pikës 1.1, të këtij vendimi,  janë të vlefshme edhe për faljen e interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave,

b) me principal të transferuar mbi 3 000 000 (tre milionë) lekë, periudha e likuidimit me këste nuk mund të jetë më shumë se dy vjet nga data e lidhjes së kontratës së re.

1.3. Për debitorët që, në datën e transferimit të kredisë nga bankat, e kanë pasur shumën e principalit mbi 3 000 000 (tre milionë) lekë:

a) faljen, në masën 85 për qind, të interesave, të kamatëvonesave, dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën maj- shtator 2009.

b) faljen, në masën 80 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe  gjobave, nëse  paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën shtator-dhjetor 2009.

c) faljen, në masën 75 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paraqiten për të shlyer detyrimin në periudhën janar-qershor 2010.

ç)  faljen, në masën 65 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, nëse  paraqiten për të shlyer detyrimin pas muajit qershor të vitit 2010.

d) konvertimin, sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë në çastin e transferimit, për kreditë e dhëna në valutë.

dh)  periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të jetë më e gjatë se 2 (dy) vjet nga data e lidhjes së kontratës së re. 

1.4. Për debitorët, që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit:

a) faljen, në masën 80 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, për debitorët me vendndodhje në bashkitë: e Tiranës, të Durrësit, të Sarandës, të Fierit  dhe të Vlorës;

b) faljen, në masën 100 për qind, të interesave, të kamatëvonesave dhe gjobave, për debitorët me vendndodhje në të gjitha bashkitë e tjera,

c)  periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet nga data e lidhjes së kontratës së re.

ç)  llogaritja e detyrimit të ri  të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind në vit, me përjashtim të kredive, që, në marrëveshjen ekzistuese të huasë, e kanë normën e interesit më të ulët.

1.5. Detyrimet e transferuara nga bankat, për shpenzime gjyqësore dhe përmbarimore, nuk falen.

1.6. Për debitorët, që kanë vdekur:

a) u kërkohet trashëgimtarëve të tyre të likuidojnë vetëm shumën e principalit të mbetur.

b) periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet, në varësi të llojit të kredisë.

1.7. Faljen e të gjitha detyrimeve të transferuara nga bankat, të përbëra vetëm nga interesa, penalitete dhe/ apo kamatëvonesa.

1.8. Për debitorët, të cilëve u kanë përfunduar procedurat e shitjes së kolateralit dhe vazhdojnë të jenë debitorë të ATK-së, u kërkohet likuidimi vetëm i 50 për qind të detyrimit të mbetur pas ristrukturimit.

1.9. Debitorët, që kanë lidhur kontrata ristrukturimi, në bazë të akteve, ligjore e nënligjore, në fuqi, para datës 30.4.2009, gëzojnë të drejtën e trajtimit sipas kushteve favorizuese të këtij vendimi.

2. Për efekt të zbatimit të pikës 1, të këtij kreu, për të gjithë debitorët,:

2.1 pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar, të gjitha pagesat e kryera në ATK për interesa, gjoba dhe kamatëvonesa përllogariten si shuma, që zbriten nga principali i transferuar.

2.2. për të cilët  nuk ka dalë urdhri i ekzekutimit, llogaritja e mëtejshme e interesave shtrihet deri më 30.4.2009, me përjashtim të kredive të marra për banesa apo përmirësim të kushteve të banimit.

2.3. pavarësisht nga faza e  trajtimit ligjor, në të cilën ndodhen, gëzojnë të drejtën e ristrukturimit dhe të përfitimit të lehtësive.

3. Për të gjithë debitorët, që likuidojnë menjëherë principalin e transferuar apo të mbetur brenda muajit dhjetor 2009, faljen e të gjitha interesave, kamatëvonesave dhe gjobave,  pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar.

II.     PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA DEBITORËT; TË ADMINISTRIMIT, SHITJES E DHËNIES ME QIRA APO ME ENFITEOZË TË KËTYRE PASURIVE.

1. Këtij vendimi u nënshtrohen të gjitha pasuritë e lëna garanci ose jo nga debitorët e ATK-së, të cilat kalojnë në pronësi të saj, pasi nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të procedurave ligjore për ekzekutim të detyrueshëm.

2. Marrja në pronësi e pasurive të lëna garanci ose jo nga debitorët bëhet me pëlqimin e  ATK-së, si palë kreditore, kundrejt vlerës së ankandit të fundit, të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor.

3. Administrimi i pasurive, që kalojnë në pronësi të ATK-së, bëhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.6942, datë 25.12.1984, “Për administrimin, ruajtjen, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, të  ndryshuar, dhe të vendimeve nr.70, datë 11.3.1985, e nr.445, datë 25.12.1990, të Këshillit të Ministrave.

4. AKT-ja e kontabilizon pronën me vlerën e përcaktuar nga përmbaruesi gjyqësor në vendimin për kalimin e pronësisë.

5. ATK-ja, pas kontabilizimit të pronës, kundrejt shlyerjes së menjëhershme të detyrimit të ristrukturuar, sipas përcaktimeve të bëra në kreun I, të këtij vendimi, i propozon debitorit kthimin e sendit të marrë në pronësi. Debitori duhet të kthejë përgjigje, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. Pas kalimit të këtij afati, ATK-ja përgatit dosjen për shitjen me ankand.

6. Procedurat e ankandit organizohen nga ATK-ja, duke respektuar procedurat e shitjes së pronës shtetërore, të parashikuara në kreun III, të vendimit nr.1638,      datë 17.12.2008, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe për procedurën e shitjes”, për aq sa është i zbatueshëm në kushtet specifike të funksionimit të ATK-së. Si vlerë fillestare e pronës, që do të shitet me ankand, do të jetë vlera e kontabilizuar nga kjo agjenci.

7.  ATK-ja ka të drejtën e rivlerësimit të pronës, para fillimit të procedurave të shitjes me ankand, me kusht rritjen e vlerës fillestare, kur e gjykon të arsyeshme se kanë ndryshuar pozitivisht kushtet e tregut, në zonën ku kjo pronë ndodhet.

8. Pronat e kaluara në pronësi të ATK-së, me propozimin e ministrit te Financave, mund t’i transferohen shtetit dhe t’u kalojnë në përgjegjësi administrimi institucioneve shtetërore. Në këtë rast, vlera e pronës, e parashikuar në pikën 4, të këtij kreu, pasqyrohet nga ATK-ja, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave, dhe kontabilizohet, duke zbritur detyrimin e debitorit.

III.  KRITERET DHE KUSHTET, QË DUHEN PLOTËSUAR PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË KREDISË, ZËVENDËSIMIN E DEBITORIT DHE TË  KOLATERALIT

1. Debitori ka të drejtë të kërkojë ristrukturimin e detyrimit, sipas lehtësive të parashikuara në këtë vendim, vetëm një herë. Në rast se debitori nuk u përmbahet kushteve të marrëveshjes së lidhur, kërkohet likuidimi i detyrimit të kontabilizuar në ATK.

2. Për debitorët, që parapëlqejnë shlyerjen me këste, nënshkrimi i kontratës së ristrukturimit shoqërohet me pagesën e menjëhershme, në masën 20% të principalit të transferuar apo shumës së mbetur prej tij.

3. Për debitorët, që kanë marrë kredi për banesa ose përmirësimin e kushteve të banimit, nënshkrimi i kontratës së ristrukturimit shoqërohet me pagesën e menjëhershe, në masën 40 %., të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër.

4. Kriteret, kushtet dhe afatet e përcaktuara në këtë vendim, për ristrukturimin e detyrimit, nuk e pengojnë agjencinë të kërkojë vjeljen e detyrimit të debitorëve në çdo kohë.

5. Zëvendësimi i debitorit apo i kolateralit me një person a pasuri tjetër realizohet në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil dhe të ligjit nr.8894, datë 14.5.2005, “Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive”, të ndryshuar, si më poshtë vijon:

a)     Zëvendësimi i debitorit realizohet kur vlera e pasurisë së re, që do të ngarkohet me barrë hipotekore, dhe e kolateralit ekzistues mbulojnë të paktën 150% të detyrimit të mbetur për t’u likuiduar.

b)     Nënshkrimi i marrëveshjes për zëvendësimin e debitorit shoqërohet me likuidimin e  menjëhershëm të 50% të principalit të transferuar apo atij të mbetur. Debitori i ri gëzon të drejtën e ristrukturimit të detyrimit sipas kërkesave të kreut I, të këtij vendimi.

c)     Zëvendësimi i kolateralit realizohet, kur vlera e pasurisë së re, që do të ngarkohet me barrë hipotekore, mbulon të paktën 150% të detyrimit të mbetur për t’u likuiduar.

ç) Procedura e zëvendësimit të kolateralit shoqërohet me pagesën, nga debitori, të 20 % të principalit të transferuar apo atij të mbetur.

IV.    DISPOZITA TË FUNDIT

1. Ngarkohet ministri i Financave të nxjerrë udhëzimin përkatës në zbatim të këtij vendimi.

2. Vendimi nr.1045, datë 16.7.2008, i Këshillit të Ministrave, dhe udhëzimi      nr.29, datë 6.10.2008, i ministrit të Financave, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


11/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›