V E N D I M PËR ADMINISTRIMIN E FONDIT SPECIAL TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE
V E N D I M
PËR
ADMINISTRIMIN E FONDIT SPECIAL TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, dhe të nenit 23, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Fondi i kompensimit të pronave, i krijuar me ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, trajtohet si fond special dhe administrohet në një llogari të veçantë, në thesarin e Bankës së Shqipërisë.
2. Administrimi i fondit të kompensimit të pronave bëhet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
3. Burimet e krijimit të fondit të kompensimit të pronave janë:
a) transfertat e buxhetit të shtetit për kompensimin e ish-pronarëve;
b) të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave (sipas përcaktimit në shkronjat “a” e “b”, të pikës 27, të kapitullit III, të vendimit nr.1638, datë 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave);
c) të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, në bazë të përcaktimit të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 32, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
ç) të ardhura nga donatorë të ndryshëm.
4. Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar, në kushtet kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur.
5. Burimet, që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit, në përputhje me udhëzimin e ministrit të Financave, të nxjerrë në zbatim të këtij vendimi.
6. Për pronarët e shpronësuar nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, shuma e pagesës për secilin përfitues përcaktohet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Dhënia e pagesës bëhet me këste të barabarta dhe të shtrira në kohë, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga pronat e legalizuara.
7. Për pronarët e tjerë, të cilët kanë fituar të drejtën e kompensimit monetar nga komisioni i kthimit të pronave, shuma e pagesës dhe mënyra e dhënies së saj bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
8. Gjendja e mjeteve monetare, të papërdorura në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë, në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm.
9. Llogaritë e fondit special të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, së bashku me buxhetin faktik.
10. Ngarkohet ministri i Financave për nxjerrjen e udhëzimit përkatës, në zbatim të këtij vendimi.
11. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ALUIZNI për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009