E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE TË SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE SHQIPTARË, PËR KOHËN, QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI, PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME, TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS S

V E N D I M 

PËR 

PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE TË SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE SHQIPTARË, PËR KOHËN, QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI, PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME, TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 47, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Punonjësit shqiptarë, të Ministrisë së Brendshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, për kohën, që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive të brendshme, homologe të shteteve të ndryshme, të trajtohen me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësim, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Për efekt të këtij trajtimi, paga e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Brendshme njësohet me pagën e gradës “Këshilltar”, në shërbimin e jashtëm.

Oficerët e kontaktit, për kohën, që shërbjenë pranë ministrive të brendshme, homologe të shteteve të ndryshme, përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës, si më poshtë vijon:

300 euro/USD, për vendet e grupit të parë;

260 euro/USD, për vendet e grupit të dytë;

230 euro/USD, për vendet e grupit të tretë;

200 euro/USD, për vendet e grupit të katërt;

150 euro/USD, për vendet e grupit të pestë.

Kategorizimi i përfaqësive, për efekt të kostos së jetesës, është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Trajtimi me pagë, sipas këtij vendimi, i oficerit të kontaktit fillon nga data e mbërritjes së tij në përfaqësi. Deri në këtë çast ai vazhdon të trajtohet me pagën e vendit të tij të mëparshëm.

Paga mujore i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi.

Në bazë të pagës mujore do të paguhen edhe detyrimet për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore.

Paga mujore i nënshtrohet rishikimit, në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në Republikën e Shqipërisë.

Pagat për oficerët e kontaktit,  që shërbejnë në vendet e Evropës, bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera, në USD.

Pika 5, e vendimit nr.318, datë 4.7.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Rendit Publik pranë ministrive homologe të Greqisë, Italisë, Turqisë dhe       UNMIK-ut, Kosovë, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.

Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të parashikuara në ligjin e buxhetit, të vitit përkatës kalendarik, të përballojë shpenzimet për pagat e oficerëve të kontaktit.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2008.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›