V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA NDËRTIMI I SHKOLLËS SË MESME DHE TË KONVIKTIT, NË QYTETIN E PESHKOPISË, DIBËR
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA NDËRTIMI I SHKOLLËS SË MESME DHE TË KONVIKTIT, NË QYTETIN E PESHKOPISË, DIBËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga ndërtimi i shkollës së mesme dhe të konviktit, në qytetin e Peshkopisë, Dibër.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Peshkopisë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqen 5 500 (pesë mijë e pesëqind) m2, tokë truall, e vlerësuar me 5 000 (pesë mijë) lekë m2, në shumën e përgjithshme 27 500 000 (njëzet e shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në shumën 193 500 (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga bashkia e Peshkopisë.
5. Vlera totale e shpronësimit, 27 500 000 (njëzet e shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë, të përballohet nga llogaria speciale, e krijuar si transfertë kapitale për t’u përdorur për shpronësimet.
6. Shpronësimi të fillojë dhe të përfundojë brenda muajit nëntor 2008.
7. Punimet për ndërtimin e shkollës së mesme dhe të konviktit të fillojnë më 1.6.2009 dhe të përfundojnë brenda datës 31.12.2010.
8. Bashkia e Peshkopisë të bëjë likuidimin e pronarit brenda afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi.
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe bashkia e Peshkopisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
17/10/2008