V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I MBINGRITJES NË RRUGËN VIRUA- GJIROKASTËR
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I MBINGRITJES NË RRUGËN VIRUA- GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i mbingritjes në rrugën Virua-Gjirokastër.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 3 827 (tre mijë e tetëqind e njëzet e shtatë) m2, tokë truall me vlerë 70 642 101 (shtatëdhjetë milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e njëqind e një) lekë, për sipërfaqen 1 245 (një mijë e dyqind e dyzet e pesë) m2, kullotë me vlerë 247 755 (dyqind e dyzet e shtatë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë, për objekte, me vlerë 17 977 763 (shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 88 867 619 (tetëdhjetë e tetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në shumën 480 000 (katërqind e tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera totale e shpronësimit, prej 88 867 619 (tetëdhjetë e tetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2008, zëri “Shpronësime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
6. Shpronësimi të fillojë më 20.10.2008 dhe të përfundojë më 30.12.2008.
7. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarëve brenda afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
17/10/2008