V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE, NË QYTETIN E BAJRAM CURRIT, TROPOJË
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SHKOLLËS 9-VJEÇARE, NË QYTETIN E BAJRAM CURRIT, TROPOJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i shkollës 9-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, Tropojë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Bajram Currit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 3 945 (tre mijë e nëntëqind e dyzet e pesë) m2, tokë arë, e vlerësuar me 4 526 (katër mijë e pesëqind e njëzet e gjashtë) lekë/m2, në shumën e përgjithshme 17 855 070 (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në shumën 193 500 (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga bashkia e Bajram Currit.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit 17 855 070 (shtatëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë) lekë, të përballohet nga llogaria speciale, e krijuar si transfertë kapitale për t’u përdorur për shpronësimet.
6. Shpronësimi të fillojë e të përfundojë brenda muajit nëntor 2008.
7. Punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në qytetin e Bajram Currit të fillojnë më 1.6.2009 dhe të përfundojnë brenda datës 31.12.2010.
8. Bashkia e Bajram Currit të bëjë likuidimin e pronarëve brenda afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi.
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe bashkia e Bajram Currit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
17/10/2008