V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR RRËSHEN-KALIMASH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe tё nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, (objekte, pjesa e dytë), që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash.
Shpronësimi tё bëhet në favor të Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Rrugёve.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për objekte, me vlerë të përgjithshme 47 415 531 (dyzet e shtatë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një) lekë.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 515 000 (pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 47 415 531 (dyzet e shtatë milionë e katërqind e pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e një) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë, “Fondi i shpronësimeve”, e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë.
Shpronësimi të fillojё më 30.6.2008 dhe tё përfundojë më 30.9.2008.
Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, me përfundimin e procesit të regjistrimit dhe pasi të kenë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve tё kryejë likuidimin e pronarëve, sipas dokumentacionit të pronësisë dhe hartave përkatëse, që do t’i vihet në dispozicion nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Mirditë.
Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave, Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Mirditë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA