V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA SISTEMIMI I QENDRËS SË QYTETIT TË VORËS, SHESHET I, II DHE III, NË BASHKINË E VORËS
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA SISTEMIMI I QENDRËS SË QYTETIT TË VORËS, SHESHET I, II DHE III, NË BASHKINË E VORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga sistemimi i qytetit të Vorës, sheshet I, II dhe III, në bashkinë e Vorës.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Vorës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqet 368 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë) m2, truall, dhe 568 (pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë) m2, objekt, pronë private, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 16 903 516 (gjashtëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e tre mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Vorës, planifikuar në buxhetin e vitit 2009.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Vorës.
6. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Vorës, për realizimin e këtij projekti.
8. Regjistrimi i ri i pasurive, me sipërfaqe 368 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë) m2, truall, dhe 568 ( pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë) m2, objekt, shpronësuar në favor të bashkisë së Vorës, të bëhet brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Proces regjistrimi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, me përfundimin e procesit të regjistrimit dhe pasi të kenë dorëzuar dokumentacionin e pronësisë, pranë bashkisë së Vorës. Deri në këtë çast, paratë të qëndrojnë të bllokuara në bankë.
10. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkia e Vorës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009