V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR INTERGHANGE-KTHESA E KAMZËS
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR INTERGHANGE-KTHESA E KAMZËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Interchange-Kthesa e Kamzës.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 12 729 (dymbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e nëntë) m2, tokë arë, me një vlerë 37 550 550 (tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) lekë, për sipërfaqen 5 290 (pesë mijë e dyqind e nëntëdhjetë) m2, tokë truall, me një vlerë 20 354 910 (njëzet milionë e treqind e pesëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e dhjetë) lekë, për objektin, me vlerë 457 111 (katërqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëmbëdhjetë) lekë, me një vlerë totale shpronësimi 56 619 121 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e një) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 340 000 (treqind e dyzet mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera totale e shpronësimit, 56 619 121 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e një) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronëzimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë më qershor 2009 dhe të përfundojë më 15.9.2009.
7. Pronarët e përcaktuar në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Pronari i objektit, për të cilin është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP-ja vetëm për truall” të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
9. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarëve, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë dhe dokumentacionit tekniko-ligjor.
10. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
11/06/2009