E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-VLORË

V E N D I M 

PËR 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, TË CILAT PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LEVAN-VLORË

 (SEKSIONI I PARË)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “ Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe tё nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave                                  

V E N D O S I:

1.     Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Levan-Vlorë (Seksioni i parë).

2.     Shpronësimi tё bëhet në favor të Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Rrugёve.

3.     Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelёn, qё i bashkёlidhet kёtij vendimi, për sipërfaqen 253 036 m2 tokё/arё, të vlerёsuar me çmimin 1 600 lekё/m2, me vlerё të përgjithshme shpronësimi 404 857 600 (katërqind e katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind) lekë.

4.     Shpenzimet procedurale, në shumën 1 600 000 (njё milion e gjashtëqind mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve.

5.     Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 404 857 600 (katërqind e katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind) lekë, të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

6.     Shpronësimi të fillojё më 15.3.2008 dhe tё përfundojë më 30.6.2008.

7.     Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim nga ZRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Për pronarët, për të cilët është shënimi “Bllokuar nga ATK-ja”, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarit, pasi ky i fundit të ketë përmbushur detyrimet ligjore dhe të ketë paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë.

8.     Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve tё kryejë verifikimet për përputhshmërinë e sipërfaqeve, të cilat preken nga shpronësimi, me numrat e pasurive në pronësi të pronarëve, që shpronësohen.

9.     Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Pёrgjithshme e Rrugёve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›