Projektligji i ri për procedurat tatimore forcon transparencën dhe sanksionon digjitalizimin e procedurave tatimore

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të radhës mori në shqyrtim, projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Duke e cilësuar këtë projektligj si kushtetutën tatimore të vendit, Kryeministri Berisha u shpreh se projektligji në fjalë, i sjellë nga Ministria e Financave vjen për diskutim në qeveri, pas miratimit, javën e kaluar, të projektligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor ne Republiken e Shqiperise”.
Duke përgëzuar Ministrinë e Financave për punën e bërë në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët ndërkombëtarë, për hartimin e këtyre dy projektligjeve të rëndësishme për ekonominë e vendit, Kryeministri ia dha fjalën Ministrit të Financave Bode për të komentuar ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Zoti Bode, në fjalën e tij, sqaroi se Ligji aktual për procedurat tatimore, i miratuar në vitin 1998, ka pësuar ndryshime të përvitshme dhe shpeshherë jokoherente, të cilat e bëjnë atë jo të përshtatshëm për përdorim. “Nga ajo periudhë deri më sot janë bërë ndryshime të mëdha në standardet e ndryshme që kanë miratuar organizmat ndërkombëtare, lidhur me transparencën fiskale, përmirësimin e klimës ndaj biznesi, luftën kunder korrupsionit dhe evazionit, te cilat ishin të domosdoshme për tu marrë në konsideratë dhe për tu pasqyruar në një projekt.” u shpreh Ministri i Financave.
Zoti Bode shpjegoi se për hartimin e një projektligji të standardeve bashkëkohore, i cili reflekton arritjet pozitive të kohës dhe standardet më bashkëkohore të vendeve evropiane Ministria e Financave, në kuadrin e “Sfidës së Mijëvjeçarit” ka bashkëpunuar ngushtësisht me ekipe të USAID-it.
Ministri i Financave u shpreh se drafti për projektligjin është fryt i konsultave të zgjeruara me FMN, Komisionin e BE-së, GTZ-në dhe diskutimeve të gjera me grupet e interesit duke reflektuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. “Ky draft është diskutuar në mënyrë publike me komunitetin e biznesit nëpërmjet shumë takimesh dhe aktivitetesh , të cilat kanë bërë dhe propozimet dhe vërejtjet e tyre, vërejtje të cilat janë analizuar nga grupi i ekspertëve të përbashkët dhe janë reflektuar në draftin përfundimtar, duke i përputhur propozimet e tyre me standardet më të mira ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të përdorura." tha Ministri Bode.
Zoti Bode u shpreh se drafti për projektligjin sjell një sërë të rejash dhe përparësish, duke forcuar transparencën dhe sanksionuar dixhitalizimin e të gjitha procedurave për nxjerrjen e tatimeve dhe taksave.
Ndër të tjera, zoti Bode theksoi se drafti për projektligjin është një moment shumë i rëndësishëm që do të ndikojë në përforcimin e mëtejshëm të punës në administratën publike, në fushën e taksave dhe tatimeve, për të dominuar mbi fenomenet e informalitetit dhe korrupsionit në ekonomi.
“Drafti merr në konsideratë dhe realitetin shqiptar në përputhje me standardet dhe rekomandimet që kanë bërë organizmat ndërkombëtare, për të rritur transparencën dhe për të mënjanuar evazionin dhe informalitetin, dukuri që ende ekzistojnë në ekonominë shqiptare. KY draft përputhet tërësisht me të gjitha sugjerimet që kanë bërë institucionet ndërkombëtare dhe mendoj që drafti do të jetë një moment tepër i rëndësishëm, për të përforcuar me tej punën e administratës publike, në fushën e taksave dhe tatimeve dhe për të dominuar mbi fenomenet e informalitetit dhe korrupsionin." u shpreh zoti Bode.
Duke përgëzuar Ministrinë e Financave për punën e bërë në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët ndërkombëtarë, për hartimin e këtyre dy projektligjeve të rëndësishme për ekonominë e vendit, kryeministri ia dha fjalën Ministrit të Financave Bode për të komentuar ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.