V E N D I M PËR TRANSFERIMIN E AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TË UJËSJELLËSVE DHE KANALIZIMEVE NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TË UJËSJELLËSVE DHE KANALIZIMEVE NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 1.II, shkronja “a”, 10, pika 3.I, shkronjat “a” e “b”, dhe 72, pika 5.I , shkronjat “a” e “b”, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të neneve 3, shkronja “e”, 4, 6, shkronja “a”, 7, 8 e 16, pika 1, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të ministrit të Brendshëm, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Transferimin e aksioneve të shoqërive shtetërore të ujësjellësve dhe kanalizimeve në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas lidhjeve 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Kur shoqëria e ujësjellësve dhe kanalizimeve mbulon më shumë se një njësi qeverisjeje vendore, bazuar në shitjen me pakicë, në marrëdhëniet tregtare me përdoruesit finalë, aksionet e shoqërisë, që transferohen, u kalojnë njësive të qeverisjes vendore përkatëse në bashkëpronësi, ku pjesa takuese e aksioneve të çdo njësie është në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë së asaj njësie, që mbulohet nga shoqëria e ujësjellësit dhe kanalizimeve.
3. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilave u transferohen aksionet e shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve sipas këtij vendimi, janë të detyruara, që, për një periudhë kohore prej jo më pak dy (2) vjetësh nga data e bërjes efektive të transferimit të aksioneve,
a) të mos shesin aksionet e tyre te persona, fizikë ose juridikë, të tjerë, shtetërore a privatë;
b) të mos kryejnë ndarje të shoqërisë, por ta mbajnë atë si një njësi ligjore të vetme operuese.
4. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat përfitojnë prona sipas këtij vendimi, të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me ligjin nr.8744, datë 22.2.2001, të cilin e paraqet për regjistrim në gjykatën e Tiranës.
5. Detyrimet e prapambetura të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, deri në çastin e transferimit, sipas përcaktimeve të bëra në lidhjen 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të shlyhen nga buxheti i shtetit dhe bilancet e shoqërive, aksionet e të cilave transferohen, të zhvishen nga detyrimet e prapambetura përpara se të kryhet transferimi i aksioneve të tyre në njësitë e qeverisjes vendore.
6. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave për përgatitjen e ndryshimeve të nevojshme të dokumenteve ligjore dhe të udhëzuesve bazë, të nevojshëm (statuti i shoqërisë së transferuar, udhëzimi për krijimin dhe funksionimin e asamblesë së ortakëve, aktet nënligjore, për krijimin dhe funksionimin e këshillave mbikëqyrëse, etj.), të cilët do të bëjnë të mundur rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpronësisë ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, si bashkëpronarë, dhe të marrëdhënieve ndërmjet këtyre të fundit me shoqëritë, që menaxhojnë sistemet e ujësjellësve dhe të kanalizimeve të transferuara.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të programojnë dhe të ndjekin zbatimin e udhëzimeve dhe të akteve nënligjore, për ngritjen e asambleve të ortakëve të njësive të qeverisjes vendore, bashkëpronarë të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, të transferuara sipas lidhjeve 1 e 2, që i bashkëlidhen këti vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe njësitë e qeverisjes vendore, të cilave u transferohen aksionet e shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA