Qeveria miraton vendimin për transferimin e ujësjellësve njësive të qeverisjes vendore
- Kryeministri: Ky është vendim historik, që shënon fillimin e një etape të re, atë të shërbimit pranë dhe për komunitetin"
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë proces historik dhe fillimin e një etape të re, në shërbimin pranë dhe për qytetarët.
"Sot ne marrim një vendim realisht historik, për transferimin e ujësjellësve njësive të qeverisjes vendore. Ky vendim shënon fillimin e një etape të re, atë të shërbimit pranë dhe për komunitetin," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tha se transferimi i pronësisë dhe dorëzimi nën juridiksionin dhe qeverisjen vendore të ujësjellësve synon përmirësimin e menaxhimit dhe të furnizimit me ujë të qytetarëve, ndërkohë që qeveria do të bashkëpunojë me pushtetit vendor për të përmbushur detyrimin e furnizimit me ujë të qytetarëve.
"Detyrimet e qeverisë janë dhe do të mbeten për të vazhduar investimet nëpërmjet njësive të qeverisjes vendore në projektet e furnizimit me ujë, derisa nevojat e qytetarëve në mbarë vendin të zgjidhen plotësisht. Ministria e Punëve Publike, Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme nuk mund ta konceptojnë kurrë këtë si një shkëputje nga detyrimet që qeveria ka për furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë. Qeveria i përmbahet kësaj, si një nga kërkesat më legjitime të shqiptarëve, por do të bashkëpunojë tani e tutje me qeverinë vendore, do të hartojë bashkë me të projektet, do të financojë projektet e tyre dhe do ta ndihmojë e asistojë atë për të përmbushur këtë detyrim të madh ndaj qytetarëve shqiptarë," tha Kryeministri.
Kryeministri tha se edhe pas transferimit të aksioneve shoqërive të ujësjellës kanalizimeve është shumë e rëndësishme që ato të ruajnë formën e tyre juridike dhe zonën e shërbimit për një periudhë të paktën 2 vjeçare. "Qëllimi, - theksoi Kryeministri, - është eliminimi me çdo kusht i copëtimit të sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, që mund të rrisin në mënyrë drastike çmimet dhe të pakësojë furnizimin me ujë, pra, të bëjë që njëra pjesë e territorit të zvogëlojë furnizimin e territorit tjetër."
Kryeministri informoi se transferimi i të drejtës së pronësisë do të shoqërohet me rikompozimin në favor të qeverisjes vendore të përfaqësuesve të Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërive. Kjo presupozon kalimin real të përgjegjësive për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve tek njësitë e pushtetit vendor. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga Grupi Ndërministror, i ngritur për ndjekjen e zbatimit të transferimit të pronave të paluajtshme shtetërore të ujësjellësve në njësitë e qeverisjes vendore dhe me përfaqësues të ministrive të Punëve Publike, Ekonomisë, Ministrisë së Brendshme dhe të Financave, të përgatisë disa akte dhe nën akte ligjore, forma ligjore do të vendoset me ekspertët e Grupit, si:
1. Hartimin e statutit të shoqërive pas transferimit.
2. Organizimin dhe funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërive pas transferimit.
3. Hartimin e kontratës për administratorit e shoqërisë në bazë të treguesve të punës.
4. Asistencë në konstituimin e Asamblesë së Ortakëve.
5. Planifikim të subvencioneve nga buxheti i shtetit në funksion të treguesve pozitivë të punës.
6. Mbështetje, me ndihmën dhe të donatorëve, për të vazhduar me investime kapitale në këtë sektor.
Kryeministri përcaktoi si afat për paraqitjen e akteve dhe nën akte ligjore datën 3 tetor 2007. "Në këtë datë, - nënvizoi Kryeministri, - ju duhet të keni përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga vendimi që marrim sot për transferimin ujësjellësve. Kjo është një punë e madhe që duhet të kompletohet brenda një kohe sa më të shkurtër."