E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Fieri dhe Berati qytete prioritare për ndërtimin e parqeve industriale

Duke analizuar vizitat në Berat dhe Fier, Kryeministri Berisha tha se këto dy qytete do të konsiderohen në listën e qyteteve që do të kenë parqe industriale. Ai vlerësoi se këto qytete kanë tradita të shkëlqyera industriale në vend, ku janë vendosur sipërmarrje të mëdha. “Ne duhet t’i krijojmë mundësi Fierit dhe Beratit për të pasur parqe industriale. Të dy qytetet kanë tradita të shkëlqyera industriale në vend. Kudo ku shkova gjeta sipërmarrje të mëdha në Fier, Berat, Patos dhe funksiononin për eksport,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të përfundojë projektin për sistemimin e lumit Osum, në Berat dhe pastrimin e ujerave të lumit Gjanicë, në Fier. “Duhet të bëhet projekti përfundimtar për Osumin. Ky lum kalon mes për mes qytetit, ndaj duhet të ketë sistemimin dhe dekorimin e nevojshëm. Gjanica gjithashtu përbën një problem të madh për Fierin. Ministri i Ekonomisë duhet të urdhërojë dy korporatat që ndotin lumin në mënyrë të papranueshme. Ato nuk duhet të derdhin asnjë sasi ujë të ndotur, pa e kaluar në impiantet e pastrimit para se të zbresin në Gjanicë, që ndodhet ngjitur me bulevardin e Fierit,” tha Kryeministri, duke nënvizuar se ndotjen kryesore këtij lumi ia shkakton nafta. “Ndërmarrjet e naftës, - tha Kryeministri, - duhet të vendosin si detyrim absolut impiantet e pastrimit të ujërave para shkarkimit të tyre. Ministria e Mjedisit do të ushtrojë të gjithë tagrin ligjor ndaj tyre për të imponuar zbatimin e standardeve. Impiante të tilla janë shumë të fuqishme dhe duhet të vendosen në të gjitha instalimet e Armos dhe Albpetrol-it.”

Kryeministri kërkoi gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të shohë mundësinë e vendosjes së një nënstacioni të dytë elektrik në Berat, si dhe shqyrtimin e rrjetit elektrik të tij. Duke përshëndetur nivelin e lartë të arkëtimeve për energjinë e konsumuar në këtë rreth, ai tha se KESH-i duhet të ketë bonuse për të. “Berati është qytet me nivel të shkëlqyer të pagesave të energjisë elektrike. Prandaj KESH-i duhet të ketë bonuse për këto rrethe. Ne nuk besojmë se politika që ndjekim është më e drejta. Shkodra sot po i afrohet 70 për qind të pagesës së energjisë së konsumuar. Ka një mënyrë për të vdekur jetën ekonomike të një vendi dhe kjo është t’i presësh energjinë. Por ka edhe një mënyrë tjetër, t’i japësh mundësinë të paguajë energjinë dhe ne ndoqëm këtë të dytën. Kjo po jep rezultatet të qarta, por kjo nuk përjashton bonuset për ata që janë në krye të pagesave.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›