E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbledhjen e tij vendimet e mëposhtme:


V E N D I M


PËR

TRANSFERIMIN E AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TË UJËSJELLËSVE DHE KANALIZIMEVE NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve  8, pika 1.II,   shkronja “a”, 10, pika 3.I, shkronjat “a” e “b”, dhe 72, pika 5.I , shkronjat “a” e “b”, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të neneve 3, shkronja “e”, 4, 6, shkronja “a”, 7, 8 e 16, pika 1, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të ministrit të Brendshëm, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :

1. Transferimin e aksioneve të shoqërive shtetërore të ujësjellësve dhe kanalizimeve në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas lidhjeve 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Kur shoqëria e ujësjellësve dhe kanalizimeve mbulon më shumë se një njësi qeverisjeje vendore, bazuar në shitjen me pakicë, në marrëdhëniet tregtare me përdoruesit finalë, aksionet e shoqërisë, që transferohen, u kalojnë njësive të qeverisjes vendore përkatëse në bashkëpronësi, ku pjesa takuese e aksioneve të çdo njësie është në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë së asaj njësie, që mbulohet nga shoqëria e ujësjellësit dhe kanalizimeve.

3. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilave u transferohen aksionet e shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve sipas këtij vendimi, janë të detyruara, që, për një periudhë kohore prej jo më pak dy (2) vjetësh nga data e bërjes efektive të transferimit të aksioneve,

a) të mos shesin aksionet e tyre te persona, fizikë ose juridikë, të tjerë, shtetërore a privatë;
b) të mos kryejnë ndarje të shoqërisë, por ta mbajnë atë si një njësi ligjore të vetme operuese.

4. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat përfitojnë prona sipas këtij vendimi, të përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, në përputhje me ligjin nr.8744, datë 22.2.2001, të cilin e paraqet për regjistrim në gjykatën e Tiranës.

5. Detyrimet e prapambetura të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, deri në çastin e transferimit, sipas përcaktimeve të bëra në lidhjen 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të shlyhen nga buxheti i shtetit dhe bilancet e shoqërive, aksionet e të cilave transferohen, të zhvishen nga detyrimet e prapambetura përpara se të kryhet transferimi i aksioneve të tyre  në njësitë e qeverisjes vendore.

6. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministria e Financave për përgatitjen e ndryshimeve të nevojshme të dokumenteve ligjore dhe të udhëzuesve bazë, të nevojshëm (statuti i shoqërisë së transferuar, udhëzimi për krijimin dhe funksionimin e asamblesë së ortakëve, aktet nënligjore, për krijimin dhe funksionimin e këshillave mbikëqyrëse, etj.), të cilët do të bëjnë të mundur rregullimin e marrëdhënieve të bashkëpronësisë ndërmjet njësive të qeverisjes vendore, si bashkëpronarë, dhe të marrëdhënieve ndërmjet këtyre të fundit me shoqëritë, që menaxhojnë sistemet e ujësjellësve dhe të kanalizimeve të transferuara.

7. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të programojnë dhe të ndjekin zbatimin e udhëzimeve dhe të akteve nënligjore, për ngritjen e asambleve të ortakëve të njësive të qeverisjes vendore, bashkëpronarë të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, të transferuara sipas lidhjeve 1 e 2, që i bashkëlidhen këti vendimi.

8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe njësitë e qeverisjes vendore, të cilave u transferohen aksionet e shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *


V E N D I M


PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES MINERARE TË SHFRYTËZIMIT, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË “ANTEA CEMENT”, SHA”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Antea Cement”, sha”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

P R O J E K T L I GJ

 
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES MINERARE TË SHFRYTËZIMIT, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË  “ANTEA CEMENT”, SHA

Në mbështetje të neneve 78, 81 e  83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:

Neni 1

Miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Antea Cement”, sha, miratuar me vendimin nr.519, datë 25.7.2007, të Këshillit të Ministrave.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI
 


* * *


V E N D I M

PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES MINERARE TË SHFRYTËZIMIT, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË “CEMENTOS AGUILA”, SHPK”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Cementos Aguila”, shpk”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

P R O J E K T L I GJ

 
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES MINERARE TË SHFRYTËZIMIT, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË
“CEMENTOS AGUILA”, SHPK

Në mbështetje të neneve 78, 81 e  83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:

Neni 1

Miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Cementos Aguila”, shpk, miratuar me vendimin nr.515, datë 15.8.2007, të Këshillit të Ministrave.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

* * *


V E N D I M


PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REHABILITIMI I SHKARJEVE, TË NDODHURA NË PATOS FSHAT DHE FRATAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve  5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”,  dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :


1. Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rehabilitimi i shkarjeve, të ndodhura në Patos Fshat dhe Fratar.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 9 673 m2, tokë arë, të vlerësuar me çmimet 300 lekë/ m2 , për zonën Patos Fshat, dhe 982 lekë/m2 , për zonën e Fratarit, me vlerë të përgjithshme 3 466 596 (tre milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë, për sipërfaqen 189 m2, tokë truall,  të vlerësuar me çmimin 1 000 lekë/ m2 , me vlerë të përgjithshme 189 000 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 3 655 596  (tre milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.

4.  Shpenzimet procedurale, në vlerën 445 000 (katërqind e dyzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit 3 655 596 (tre milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë, të përballohet nga “Llogaria speciale”, e krijuar si transfertë kapitale për t’u përdorur për shpronësimet.

6. Shpronësimi të fillojë më 15.9.2007 dhe të përfundojë më 15.10.2007.

7.  Pronarët e përcaktuar në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Plotësim dokumentacioni” a “Proces regjistrimi”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.

8. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË SË PËRRENJASIT TË KINOKLUBIT TË KËTIJ QYTETI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “d”, 8 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të bashkisë së Përrenjasit të objektit “Kinoklubi i qytetit”, me sipërfaqe të përgjithshme 493 m2, në zonën kadastrale 2924,

2.  me numër pasurie 2/47,  për zhvillimin e veprimtarive social-kulturore.

3. Bashkisë së Përrenjasit i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe kryetari i bashkisë Përrenjas për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT TË FORMËS “BOT”, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS DHE SHOQËRISË “REMI”, SHPK, PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALIT “EGNATIA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe  të neneve 21, pika 4, e 27, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :

1. Miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT”, (Ndërtim-Shfrytëzim-Transferim) ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “REMI”, shpk, për ndërtimin e hidrocentralit “EGNATIA”, sipas tekstit  dhe aneksit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Këshilli i Basenit Ujëmbledhës, Shkumbin, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË VORË, TË QARKUT TË TIRANËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17,  të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :

1. Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të bashkisë Vorë, të qarkut të Tiranës, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj bashkie, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të bashkisë Vorë, të qarkut të Tiranës, miratuar me vendimin nr.502, datë 19.7.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në bashkinë Vorë, të qarkut të Tiranës”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkia e Vorës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2007, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR FINANCIMIN E SHPENZIMEVE PËR HAPJEN E KUTIVE TË VOTIMIT E TË KUTIVE TË MATERIALEVE ZGJEDHORE, TË PËRDORURA NË ZGJEDHJET PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE, 2007


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të  ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, t’i shtohet fondi 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë, për financimin e shpenzimeve për hapjen e kutive të votimit dhe të kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, 2007.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2007, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR FINANCIMIN E ZGJEDHJEVE TË PJESSHME PARLAMENTARE NË ZONËN ZGJEDHORE NR.31, TIRANË, MË 23 SHTATOR 2007


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, t’i shtohet fondi 4 500 000 (katër milionë e pesëqind mijë) lekë, për financimin e zgjedhjeve të pjesshme parlamentare, në zonën zgjedhore nr.31, Tiranë, më 23 shtator 2007.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *


V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN E PASURIVE, TROJE DHE OBJEKTE, ME INTERES VENDOR, NË PRONËSI TË BASHKISË SË TIRANËS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3,  shkronja “k”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar,  me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:


1. Transferimin e pasurive, truall dhe objekte, me nr.849, 864, 865, 898 e 983, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e parë), nr.2434 e 2863, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e dytë), dhe nr.100, në listën e pjesshme të inventarit (pjesa e tretë), në pronësi të bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e disa banesave sociale, në kuadër të strategjisë së strehimit, sipas formularëve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Bashkisë së Tiranës nuk i lejohet tjetërsimi ose ndërrimi i destinacionit të këtyre pasurive apo dhënia në përdorim të tretëve.

3. Ngarkohen kryetari i bashkisë së Tiranës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË KATIT PËRDHE, BODRUMIT, TË MJEDISEVE TË TJERA DHE TË TERRITORIT TË ISH-SPITALIT CIVIL TË SHKODRËS NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË MINISTRISË SË ARSIMIT DHE SHKENCËS, PËR UNIVERSITETIN E SHKODRËS


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13  e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të katit përdhe, bodrumit, të mjediseve të tjera dhe të territorit të ish-Spitalit Civil të Shkodrës nga Ministria e Shëndetësisë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për Universitetin e Shkodrës, të përcaktuara në formularin nr.3, sipas planvendosjes dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Universitetit të Shkodrës i ndalohet ta ndryshojë destinacionin, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve pronën e përcaktuar në këtë vendim.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9396, DATË 12.5.2005, “PËR  QIRANË FINANCIARE””


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës,  me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9396, datë 12.5.2005, “Për  qiranë financiare””, për shqyrtim e miratim, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

  
P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9396,   DATË 12.5.2005, “PËR  QIRANË FINANCIARE”


Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I :

Në ligjin nr.9396, datë 12.5.2005, “Për qiranë financiare”, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:


Neni 1

Pikat 2 dhe 5, të nenit 28, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Qiradhënësi mund të zgjidhë kontratën e qirasë nëpërmjet njoftimit me shkrim ose t’i kërkojë, me shkrim, qiramarrësit të paguajë shumën e plotë të papaguar të pagesave, bashkë me kamatëvonesat, edhe kur qiramarrësi shlyen pagesën e parë, por pas saj nuk shlyen qoftë edhe njërën nga pagesat e tjera të qirasë, me gjithë kamatëvonesën, brenda 20 ditëve kalendarike nga afati i përcaktuar në kontratë, për kryerjen e asaj pagese.”.

“5. Qiradhënësi, që kërkon ta zgjidhë kontratën e qirasë, për shkaqet e parashikuara në pikat 3 dhe 4, të këtij neni, detyrohet të njoftojë qiramarrësin, me shkrim. Njoftimi i dërgohet qiramarrësit brenda shtatë ditëve kalendarike para fillimit të procedurës së rimarrjes së sendit, duke i dhënë mundësi qiramarrësit të shlyejë pagesën e qirasë ose të përmbushë ndonjë detyrim tjetër.”.

Neni 2

Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) qiramarrësi të ketë njoftuar me shkrim qiradhënësin për mospërmbushjen dhe ajo nuk është ndrequr brenda 1 muaji nga marrja e njoftimit me shkrim.”.

Neni 3

Në nenin 30 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “ç”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ç) të marrë të gjitha shpenzimet shtesë, përfshirë shpenzimet gjyqësore për rimarrjen e sendit, si dhe shpenzimet e qiramarrësit për rimarketimin dhe shitjen e tij, të bëra për shkak të mospagimit të detyrimeve nga qiramarrësi.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Nga mbledhja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, qiradhënësi është i detyruar të zbresë shumën e vlerës së shitjes së sendit të arkëtuar në çastin e realizimit të shitjes së tij nga qiradhënësi te një person i tretë. Çdo shumë e marrë nga qiradhënësi në tejkalim të shumës, që del nga mbledhja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, i paguhet qiramarrësit.”.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Nëse qiradhënësi do ta shesë sendin e rimarrë, ai është i detyruar të njoftojë, me shkrim, qiramarrësin, duke i dhënë mundësi atij, që, brenda 15 ditëve, të gjejë blerës për sendin, me një çmim jo më të ulët se shuma e përgjithshme e detyrimeve, të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni. Pas mbarimit të këtij afati, qiradhënësi mund ta realizojë vetë shitjen e sendit, duke njoftuar qiramarrësin për vlerën, me të cilën është shitur sendi.”.

Neni 4

Pikat 1 e 3, të nenit 32, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Kontrata e qirasë financiare është titull ekzekutiv, për sa i takon rimarrjes së sendit, objekt i kontratës së qirasë, dhe vihet në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor, pas lëshimit të urdhrit përkatës të ekzekutimit nga gjykata përgjegjëse, e cila shprehet brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.”.

“3. Përmbaruesi gjyqësor i njofton urdhrin qiramarrësit, brenda 5 ditëve nga data e lëshimit të urdhrit, dhe, nëse qiramarrësi nuk e dorëzon sendin vullnetarisht, brenda 10 ditëve nga data e njoftimit, përmbaruesi gjyqësor vendos menjëherë sekuestron mbi të. Kur përmbaruesi gjyqësor vëren se ka rrezik se me kalimin e afatit 10-ditor, ekzekutimi bëhet i pamundshëm, përmbaruesi gjyqësor fillon menjëherë ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestron mbi sendin, objekt të kontratës së qirasë, dhe ia dorëzon atë qiradhënësit.

Nëse përmbaruesi gjyqësor nuk arrin ta vendosë sekuestron mbi sendin, ai njofton për këtë me shkrim, qiradhënësin menjëherë, por jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data, kur përmbaruesi ka nisur veprimet për vënien e sekuestros.”.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI

  
* * *


V E N D I M


PËR

DHËNIEN NË PËRDORIM AGJENCISË SË PROKURIMEVE PUBLIKE TË DISA MJEDISEVE TË NDËRTESËS (GODINËS) SË ISH-INIMA-s

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 23.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave


V E N D 0 S I:


1. Dhënien në përdorim Agjencisë së Prokurimeve Publike të disa mjediseve, në katin e dytë, të ndërtesës së ish-INIMA-s, në administrim të Këshillit të Ministrave, sipas vendndodhjes së përcaktuar në planimetrinë, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Kryeministria dhe Agjencia e Prokurimeve Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE, RREGULLAVE TË LICENCIMIT, PROCEDURAVE PËR APLIKIM, RIPËRTËRITJE, TRANSFERIM DHE HEQJE LICENCE, NË FUSHËN E SHËRBIMEVE TURISTIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,  Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Çdo person fizik a juridik, vendas ose i huaj, subjekt i këtij vendimi, për t’u pajisur me licencë/certifikatë, në fushën e shërbimeve turistike duhet të plotësojë standardet e mëposhtme:

a. Të ofrojë një shërbim cilësor dhe të garantojë zbatimin e  rregullave e të parimeve të Kodit Global të Etikës në Turizëm.
b. Të ketë drejtuesin dhe një staf teknik profesional, me arsimin përkatës e të kualifikuar, në përputhje me objektin e veprimtarisë turistike.
c. Të ofrojë shërbim të paanshëm për të gjithë klientët, të cilët  të jenë të gatshëm për të konsumuar këtë shërbim, kundrejt pagesës, për të cilën është rënë dakord më parë.
ç. Të garantojë sigurinë e përgjegjësisë për dëmet, që mund t’u shkaktohen personave nga konsumimi i shërbimit, që ofron/ushtron subjekti.
d. Të plotësojë kushtet minimale për reklamimin e veprimtarisë dhe/ose të mjediseve të  përcaktuara në rregulloret e miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
dh. Të zbatojë në mënyrë të rreptë rregullat teknike, për masat e mbrojtjes nga  zjarri.
e. Të plotësojë kushtet higjieno-sanitare gjatë veprimtarisë.
ë. Të sigurojë informacionet e nevojshme për shërbimet e ofruara, çmimet përkatëse, si dhe të paraqesë raportet, të dhënat e kërkuara nga strukturat shtetërore përkatëse, në bazë e për zbatim të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
f.  Të plotësojë formularin tip të autideklarimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Çdo person, fizik a juridik, vendas ose i huaj, subjekt i këtij vendimi, për t’u pajisur me licencë/certifikatë në fushën e turizmit duhet të paraqesë kërkesën, me shkrim, e cila duhet të shoqërohet edhe me:

a. Të dhënat për përfaqësuesin ligjor, adresën e saktë të selisë/filialeve, personin/at dhe numrat zyrtarë të kontaktit, e-mail-in etj;
b. Vendimin e  regjistrimit në gjykatë si person fizik/juridik, me objekt “Veprimtari  turistike”, sipas fushës së veprimtarisë, që do të ushtrojë;
c. Certifikatën tatimore, në përputhje me objektin e veprimtarisë turistike;
ç. Diplomën a dëshminë, certifikatën individuale, si dhe çdo dokument tjetër, që provon kualifikimet përkatëse profesionale, në përputhje me funksionin drejtues dhe objektin e veprimtarisë turistike, që drejton;
d. Dëshminë a diplomën, certifikatën individuale, si dhe çdo dokument tjetër, që provon kualifikimin përkatës, profesional të personelit operues për ato funksione apo shërbime që kryen;
dh. Nëpërmjet formularit të autodeklarimit, të deklarojë, lejet përkatëse, të lëshuara nga autoritetet shtetërore kompetente, për masat e mbrojtjes nga zjarri, kushtet higjieno-sanitare të veprimtarisë turistike, mjetet e punës e patentat a autorizimet, që lidhen me llojin e veprimtarisë, që ushtron, në përputhje me rregulloret përkatëse, të miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin;
e. Lejen e qëndrimit, për personat me shtetësi të huaj, e lëshuar nga autoritetet shtetërore kompetente, në bazë të ligjit për të huajt.

Dokumentet e kërkuara në origjinal të mbahen në dosje në selinë, ku ushtron veprimtarinë subjekti, dhe fotokopje të dorëzohen në Komisionin e Standardeve të Turizmit.

3. Procedurat e aplikimit për pajisjen me licencë/certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë turistike ndiqen e zbatohen nga  Komisioni i Standardeve të Turizmit (më tej KST), i cili mbështetet nga një sekretari teknike e caktuar me urdhër të ministrit, përgjegjës për turizmin.

4. Subjektet, që kërkojnë të pajisen me licencë/certifikatë, i paraqesin kërkesë me shkrim ministrit përgjegjës për turizmin, së bashku me dokumentacionin shoqërues, në përputhje me objektin e veprimtarisë, standardet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe në  rregulloret përkatëse, të nxjerra nga ministri përgjegjës për turizmin, në zbatim të neneve 31, 35, 36, 41, 42 e 45, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.

5. Kërkesa e subjektit dhe dokumentacioni shoqërues i përcillen për shqyrtim KST-së, nëpërmjet sekretarisë teknike. Pasi verifikon dokumentacionin e paraqitur, sekretaria teknike njofton subjektin brenda 5 (pesë) ditëve  pune për plotësimin e tij, nëse është i paplotë.

6. Pas plotësimit të dokumentacionit dhe verifikimit në vend të të dhënave të deklaruara e të depozituara në dosjen e subjektit, por jo më vonë se 15 ditë pune, sekretaria përgatit raportin vlerësues për Komisionin e Standardeve të Turizmit. Subjektit i njoftohet, me shkrim, fillimi i këtij afati, i cili vlerësohet si afati i dorëzimit zyrtar të dokumentacionit të plotë.

7. Komisioni i Standardeve të Turizmit shqyrton kërkesën e subjektit dhe raportin vlerësues, të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë pune nga data e dorëzimit, dhe i propozon ministrit përgjegjës për turizmin miratimin a refuzimin e licencës/certifikatës.

8. Ministri me urdhër të veçantë,  jo më vonë se 7 (shtatë) ditë pune nga data e dorëzimit të propozimit të KST-së, miraton a refuzon dhënien e licencës/certifikatës.

9. Procesi i licencimit/certifikimit duhet të përfundojë  brenda 35 (tridhjetë  e pesë) ditëve pune nga dorëzimi zyrtar i dokumentacionit. Kur kalon ky afat dhe  subjekti nuk ka marrë njoftim, me shkrim, për kërkesën e tij, atëherë ai quhet i licencuar/certifikuar. Ministri përgjegjës për turizmin është i detyruar të lëshojë licencën/certifikatën brenda tri ditëve pas përfundimit të këtij afati, në të kundërt subjektit i lind e drejta t’i drejtohet gjykatës.

10. Sekretaria teknike e KST-së, brenda 3 (tri) ditëve nga data e urdhrit të ministrit për miratimin e licencave/certifikatave, njofton zyrtarisht dhe përgatit licencën/certifikatën, sipas standardeve dhe formateve të miratuara. Në  rastin e refuzimit të kërkesës, po brenda këtij afati, subjektit i njoftohet, me shkrim, arsyeja e refuzimit.

11. Për marrjen e licencës/certifikatës bëhet një pagesë 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë. Pagesa kryhet  në numrin e llogarisë së Fondit të Zhvillimit të Turizmit, në zbatim të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 25, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.

12. Afati i vlefshmërisë së licencës/certifikatës  është 5 (pesë) vjet nga data e lëshimit.
                                                                               
13. Subjektet,  që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit, kanë të drejtë ta ripërtërijnë licencën 40 (dyzet) ditë para përfundimit të afatit, duke iu nënshtruar të njëjtave standarde, kritere dhe procedura, të përmendura më sipër, si dhe e dorëzojnë licencën/certifikatën origjinale, e mëparshme. 

14. Licenca/certifikata individuale nuk mund t’i transferohet një individi tjetër, subjekti, që e përfiton licencën/certifikatën plotëson standardet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim e në rregulloret përkatëse, të miratuara nga ministri përgjegjës për turizmin.

15. Personit, fizik a juridik, privat, të pajisur me licencë/certifikatë për të ushtruar një veprimtari turistike të caktuar, i hiqet licenca/certifikata nëse:

a. provohet se nuk ka zbatuar më shumë se një herë Kodin Global të Etikës.
b. nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për dhënien e informacioneve, në Zyrën e Shërbimit të Turistëve dhe në strukturën përkatëse, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për paraqitjen e raporteve dhe të të dhënave statistikore,  sipas rregullores për mbledhjen dhe përpunimin e tyre, dhe të formularëve, të miratuar në bazë të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007, “Për turizmin”.
Në këtë rast, subjekti njoftohet, me shkrim, që, brenda 30 ditëve nga marrja e këtij njoftimi, të paraqesë informacionet, raportet dhe të dhënat statistikore, të kërkuara. Nëse edhe pas këtij afati, subjekti nuk e përmbush këtë detyrim ligjor, strukturat e mësipërme i drejtohen, me një relacion, KST-së, e cila më pas i propozon ministrit përgjegjës për turizmin nxjerrjen e urdhrit për heqjen e licencës /certifikatës.
c. subjekti kërkon ta mbyllë veprimtarinë turistike, për të cilën është pajisur me licencë/certifikatë. Në këtë rast, subjekti është i detyruar të paraqesë kërkesën, me shkrim, te ministri përgjegjës për turizmin dhe të kthejë licencën/certifikatën origjinale.

Pas heqjes së licencës/certifikatës, një kopje e urdhrit të ministrit u njoftohet edhe organeve tatimore, ku subjekti ushtron veprimtarinë turistike.

16. Çdo subjekt, aplikues për licencë/certifikatë, ka të drejtën e ankimit te ministri përgjegjës për turizmin, në rast se shkelen procedurat dhe afatet e vendosura në këtë vendim, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

17. Ngarkohet ministri përgjegjës për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

DHËNIE FONDI NDIHME PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË, E RIORGANIZUAR 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, të neneve 21 e 27, të     ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave


V E N D O S I:

1. Dhënien e një fondi prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh Partisë së Punës së Shqipërisë, të riorganizuar, si ndihmë financiare.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


* * *


V E N D I M


PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2007, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE, PËR KURIMIN E ZJ. POLIKSENI NDRENIKA, NË GREQI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27,  të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 8 e 12, të ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, zëri “Shpenzime për mallra e shërbime”, t’i shtohet fondi prej  1 360 000 (një milion e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve, për kurimin e zj. Polikseni Ndrenika, në Greqi.

2. Ky fond të  përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Pagesa të kryhet pas paraqitjes së faturave të shpenzimeve nga institucioni i kurimit.

4. Ngarkohen ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›