VATIKAN – Papa Françesku dënon mizorinë e vrasjes së fëmijëve në Gaza

VATIKAN, 21 dhjetor /ATSH-AFP/ – Papa Françesku dënoi sot mizorinë e një sulmi ajror izraelit në Gaza, pas vdekjes së shtatë fëmijëve nga e njëjta familje palestineze, e njoftuar dje nga Mbrojtja Civile e Territoreve Palestineze.
“Dje u bombarduan fëmijët. Është mizori, nuk është luftë. Dua ta them sepse më prek zemrën”, deklaroi ai para anëtarëve të qeverisë së Selisë së Shenjtë.
Papa Françesku, 88 vjeç, ka bërë thirrje për paqe që nga sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe fushata hakmarrëse izraelite në Gaza.
Javët e fundit, ai ka ashpërsuar vërejtjet e tij kundër ofensivës izraelite.
Mbrojtja Civile e Rripit të Gazës njoftoi dje se 10 persona nga e njëjta familje, duke përfshirë shtatë fëmijë dhe një grua, ishin vrarë në një sulm izraelit në një shtëpi në Jabalia, në veri të territorit palestinez.
“Një masakër nga pushtimi (izraelit) la 10 martirë brenda familjes Khalla, të shënjestruar nga një sulm ajror në shtëpinë e tyre në Jabalia”, tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal.
”Të gjitha viktimat janë nga e njëjta familje, duke përfshirë shtatë fëmijë, më i madhi gjashtë vjeç dhe një grua, përveç 15 të plagosurve”, tha ai.
Ushtria izraelite pohoi se raporti i komunikuar nga Mbrojtja Civile “nuk pajtohet me informacionin që posedon”.
”Forcat izraelite goditën disa terroristë që vepronin në një strukturë ushtarake të lëvizjes islamike palestineze Hamas dhe përfaqësonin një kërcënim”, siguroi ajo./ a.jor.