VATIKAN – Papa Leone XIV: Kuptimi i jetës pa besim humbet

VATIKAN, 9 maj /ATSH-DPA/ – Në meshën e tij të parë sot si udhëheqësi i ri i Kishës Katolike, papa Leone XIV paralajmëroi se humbja e besimit mund të ketë “efekte anësore dramatike”.
”Midis këtyre, vërejtja se kuptimi i jetës është humbur, mëshira është harruar, dinjiteti njerëzor është shkelur në mënyrat më dramatike, familja ka qenë në krizë dhe shumë plagë të tjera janë shtuar, nga të cilat shoqëria jonë vuan ndjeshëm”, tha ai duke folur në italisht.
Komentet erdhën një ditë pasi kardinali Robert Francis Prevost u shpall si papa i parë amerikan, ndërsa tym i bardhë doli nga oxhaku i Kapelës Sistine pas katër raundeve të votimit në konklavën papnore.
Sot në mëngjes, Papa Leone XIV kryesoi meshën e parë që nga zgjedhja e tij, i shoqëruar nga kardinalë në Kapelën Sistine në Vatikan.
69-vjeçari tha se ”besimi konsiderohet diçka absurde dhe diçka e rezervuar për njerëzit e dobët dhe jointeligjentë”.
”Besimi shpesh zëvendësohet nga gjëra të tjera si teknologjia, paratë, suksesi, pushteti dhe kënaqësia”, theksoi ai./ /os/