E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.618, DATË 7.9.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE MASËS SË PËRFITIMIT TË PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR”

                                                                                                             V E N D I M

 

 

                                                                                                                  PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.618, DATË 7.9.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE MASËS SË PËRFITIMIT TË PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 1, e 20, pika 3, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të nenit 15, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i  Ministrave

 

V E N D O S I :

1.       Në vendimin  nr.618, datë 7.9.2006, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:

a)       Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8.  Masa e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar, të përcaktuar sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, është  8 700 (tetë  mijë e shtatëqind) lekë në muaj dhe kjo  masë e indeksohet, çdo vit, me ritmet e rritjes së pagës minimale, në shkallë vendi, por masa e indeksuar e pagesës të mos jetë më shumë se masa e pensionit minimal në qytet, në shkallë vendi.”.

b)       Në pikën 9 fjalët “... përfitojnë 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj...” zëvendësohen me “... përfitojnë pagesë sa dyfishi i masës së përfitimit, të përcaktuara në pikën 8, të këtij vendimi...”.

c)       Në pikën 10 fjalët “... përfitojnë 21 000 (njëzet e një mijë) lekë në muaj...” zëvendësohen me “... përfitojnë pagesë sa trefishi i masës së përfitimit, të përcaktuar në pikën 8, të këtij vendimi...”.

ç)  Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13.  Pagesa e kujdestarit të personit me aftësi të kufizuara, sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, është në masën 8 700 (tetë mijë e shtatëqind) lekë në muaj dhe kjo masë indeksohet, çdo vit, me ritmet e rritjes së pagës minimale, në shkallë vendi, por masa e indeksuar e kësaj pagese të mos jetë më shumë se masa e pensionit minimal në qytet, në shkallë vendi.”.

d)       Pika 15 shfuqizohet.

2.       Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 240 (dyqind e dyzet) milionë lekë, të përballohen nga fondi, i miratuar në buxhetin e vitit 2008, grupi 25, titulli 064, kapitulli 1, artikulli 606, zëri “Transferta të familjeve dhe të individëve”, miratuar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

3.       Ngarkohen Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Financave, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky  vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›