VENDIM PER DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1, DATË 10.1.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1, DATË 10.1.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin “Rregullat për prokurimin publik”, që i bashkëlidhet vendimit nr.1, datë 10.1.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Para paragrafit të fundit, të shkronjës “b”, të pikës 3, të kreut III, “Dokumentet e tenderit”, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Kriter vlerësimi për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje do të jetë çmimi më i ulët, bazuar në:
i) çmimin e bursës, sipas Reuters, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, i cili dërgohet për botim, çdo javë, në Buletinin e Njoftimeve Publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
ii) elementet fiskale, përfshi akcizën, taksë karboni;
iii) marzhin e fitimit, të shprehur në vlerë absolute dhe në përqindje.”.
2. Pas shkronjës “b”, të pikës 2, “Mbikëqyrja e kontratës”, të kreut VIII, “Ekzekutimi i kontratës”, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Nëse çmimi, gjatë kohës së zbatimit të kontratës për furnizimin me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, sipas Reuters, ndryshon dukshëm në ulje apo ngritje, me kërkesë me shkrim të palëve dhe në varësi të çmimeve të ndryshueshme të blerjes në tregjet ndërkombëtare, kontraktori pasqyron, në faturat periodike të shitjes, çmimin e mallit, mbështetur në deklaratën doganore SAD.
Autoriteti kontraktor, para pagimit të faturës së mallit duhet të kontrollojë përqindjen, e rritjes apo të uljes, të çmimit të bursës, sipas Reuters, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, cilësinë e mallit të lëvruar, nëse është e njëjtë me atë të premtuar në ofertë.”.
3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dërgojë çdo javë për botim, në Buletinin e Njoftimeve Publike, çmimin e bursës, sipas Reuters, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri, dhe Agjencia e Prokurimit Publik të bëjë ndryshimet përkatëse në dokumentet standarde të tenderit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA