E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR ARSIMIN E MESËM, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTË PROGRAM, NË UNIVERSITETIN E TIRANËS, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009

V E N D I M

PËR

HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR  ARSIMIN E MESËM,  SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTË PROGRAM, NË  UNIVERSITETIN E TIRANËS, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 dhe 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
                                                  
1. Hapjen, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, të programit të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin  e mesëm, në lëndët shkenca sociale, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë master i nivelit të parë, MNP, në mësuesi, për  arsimin e mesëm, në lëndët shkenca-sociale.

2. Programi i studimit master i nivelit të  parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.

3. Kuota e pranimeve në programin, master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, në lëndët “Shkenca sociale”, në Universitetin e Tiranës, për vitin akademik 2008-2009, të jetë 50.

4. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, në vitin akademik 2008-2009, do të jetë sipas pikës 7/b/ii, të vendimit, nr.1337, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë cikli i dytë i studimeve dhe master i nivelit të pare, me kohë të plotë, si dhe tarifat e shkollimit për programet e studimit, të miratuara për vitin akademik 2008-2009”.

5. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Universitetin  e Tiranës.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës  për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


10/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›