E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE PER RIMBURSIMIN E AKCIZES SE PAGUAR DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE LEHTËSUESE, PËR NDËRTIMIN E BURIMEVE TË PRODHIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE, ME FUQI TË INSTALUAR JO MË PAK SE 5MW

V  E  N  D  I  M

Për

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE dhe TË proCedurave për rimbursimin e akcizës së paguar DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE LEHTËSUESE, PËR NDËRTIMIN E BURIMEVE  TË PRODHIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE, ME FUQI TË INSTALUAR JO MË PAK SE 5MW

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ç”, të pikës 2, të nenit 19, të ligjit nr.8976, datë 12.12.2002 "Për akcizat ", të ndryshuar, dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8987, datë 24.12.2002, “Për krijimin e kushteve lehtësuese për ndërtimin e burimeve të reja të prodhimit të energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Këshilli i Ministrave,

V E N D O SI :

1.       Personi juridik, vendas ose i huaj, i cili ndërton burime të prodhimit të energjisë elektrike, me fuqi të instaluar jo më pak se 5MW për burim, që përdorin lëndë djegëse, të lëngta ose të ngurta, dhe pa kufizim për burime të tjera të rinovueshme të prodhimit, pasi të ketë marrë nga organet shtetërore përkatëse lejen për ndërtimin e një objekti gjenerues, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duhet të paraqesë pranë ministrisë përgjegjëse për sektorin e energjisë, 6 muaj para fillimit të importimit listën, e plotë e të specifikuar, të makinerive dhe të pajisjeve, që do të importohen vetëm për këtë objekt.

Ministri përgjegjës për sektorin e energjisë e miraton këtë listë, pas shqyrtimit dhe verifikimit të saj.

2.       Lista e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, duhet të përmbajë, për çdo makineri dhe pajisje, që importohet, këto specifikime:

a.  Emërtimin dhe shenjat e njësisë së makinerisë /pajisjes;

b. Karakterisktikat kryesore teknike të makinerisë/pajisjes, sasinë dhe  çmimin e blerjes;

c. Karakteristikat e lëndëve djegëse, që përdoren, duke specifikuar llojin dhe konsumin e shprehur për njësi;

ç.  Specifikime të tjera sqaruese (konsumi specifik i burimit, etj).

3.       Lista e miratuar nga ministri përgjegjës për energjinë mbahet në pesë kopje, nga të cilat një kopje i dërgohet subjektit investitor të licencuar, një kopje Ministrisë së Financave, një kopje Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, një kopje Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe një kopje ruhet në ministrinë përgjegjëse për sektorin e energjisë.

4.       Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas paraqitjes së kërkesës nga subjekti investitor, zbaton të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni doganor për përjashtimin e makinerive dhe të pajisjeve, të përfshira në listën e miratuar nga ministri përgjegjës për energjinë, nga taksat doganore.

5.       Institucionet e përmenduara në pikën 3, për çdo ndryshim në listën e specifikuar të makinerive dhe të pajisjeve që importohen, veprojnë në përputhje me dokumentet zyrtare, që kërkojnë ndryshimin, dhe për këtë japin miratimin përkatës. Në rast se në listën e miratuar më parë është përfshirë një makineri/ pajisje, që nuk i takon këtij objekti, veprimet doganore kryhen vetëm pasi të shlyhet dhe të dokumentohet pagesa e taksës doganore, që nuk i ishte paguar, në zbatim të këtij vendimi.

6.       Për lëndët djegëse të përdorura nga subjektet, të cilat ndërtojnë burime të prodhimit të energjisë elektrike, me fuqi të instaluar jo më pak se 5 MW për burim, për nevojat e veta apo për shitje, vlera e akcizës që do të rimbursohet, llogaritet sipas formulës së paraqitur në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7.       Personi juridik, vendas ose i huaj, i cili ndërton burime të prodhimit të energjisë elektrike me fuqi të instaluar jo më pak se 5MW për burim, që përdorin lëndë djegëse të lëngta ose të ngurta, dhe pa kufizim për burime të tjera të rinovueshme të prodhimit, për rimbursimin e akcizës së këtyre lëndëve, duhet të paraqesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve:

a.  Aplikimin për sasinë e lëndës djegëse, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet vendimit, e cila nevojitet për prodhimin e energjisë elektrike për një periudhë tremujore, përfshirë dhe shumën e akcizës, që do të rimbursohet.

b.       Akcizën e paguar për lëndët djegëse, të lëngta ose të ngurta, të importuara nga subjekte të tjera ose vetë subjekti prodhues i burimeve të energjisë elektrike (vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për pagesën e akcizës).

8.       Energjia elektrike, e prodhuar nga burimet, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij vendimi, matet nëpërmjet matësit të energjisë elektrike për rastin e shitjes dhe nga matësi i gjeneratorit elektrik, kur ajo prodhohet, kryesisht, për nevojat e veta.

9.       Sasia e energjisë elektrike, të shitur apo të prodhuar, vlerësohet çdo muaj si diferencë e leximeve të matësit në fillim dhe në fund të muajt.

Sasia e energjisë elektrike, që u shitet të tretëve, matet në kwh/muaj dhe deklarohet në faturën e përbashkët të mbajtur, ndërmjet shitësit dhe blerësit, ndërsa sasia e energjisë së prodhuar deklarohet nga prodhuesi, sipas vlerës së treguar në matësin e vendosur në dalje të gjeneratorit elektrik.

10.          Dega e tatimeve e rrethit përkatës, në bashkëpunim me strukturat e subjekteve shpërndarëse të energjisë elektrike, bëjnë plumbosjen e matësve të energjisë elektrike, duke mbajtur proces-verbal. Dega e tatimeve kontrollon, çdo muaj, sasinë e energjisë së prodhuar për shitje dhe për nevojat e veta. Subjekti prodhues i energjisë elektrike deklaron, çdo muaj, në degën e tatimeve energjinë e prodhuar kryesisht për nevojat e veta, në bazë të leximeve të matësit të gjeneratorëve elektrikë.

11.          Me konsum specifik të lëndës djegëse në burim nënkuptohet sasia e lëndës djegëse të përdorur për prodhimin e 1 KWH energji elektrike. Në këtë vlerë përfshihet edhe sasia e lëndës djegëse, që konsumohet për nevojat e centralit elektrik.

12.          Rimbursimi i akcizës për lëndën djegëse të konsumuar, të llogaritur sipas formulës bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga llogaria e veçantë buxhetore e krijuar nga kjo drejtori për këtë qëllim dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e kërkesës së subjektit për rimbursim të akcizës.

13.          Rimbursimi i kundërvleftës së taksës doganore, të llogaritur sipas formulës përkatëse në shtojcën 1, bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e llogaritur nga llogaria e veçantë buxhetore  e krijuar nga kjo drejtori për këtë qëllim dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e kryerjes së veprimeve në doganë.

14.          Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për energjinë të nxjerrin udhëzimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

15.          Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri përgjegjës për energjinë për zbatimin e këtij vendimi.

16.          Vendimi nr.560, datë 27.8.2004, “Për përcaktimin e disa kushteve lehtësuese për ndërtimin e burimeve të reja të prodhimit të enërgjisë elektrike”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›