E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR”

V E N D I M

PËR 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8450,                datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe të nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 

 
K R Y E M I N I S T R I

 SALI BERISHA

 

 

P R O J E K T L I GJ 

Per  

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8450, DATË 24.2.1999, “PËR PËRPUNIMIN, TRANSPORTIMIN DHE TREGTIMIN E NAFTËS, TË GAZIT DHE NËNPRODUKTEVE TË TYRE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :


Në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime:
Neni 1

Kudo në ligj emërtimi “Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve” zëvendësohet me “Struktura përgjegjëse për veprimtarinë e hidrokarbureve.”.

Neni 2

Pika 4, e nenit 14, ndryshohet si më poshtë vijon:

“4. Shoqëria e tregtimit me shumicë përgjigjet për sasinë dhe cilësinë e ngarkesës gjatë transportit.”.

 Neni 3

Neni 12.1 shfuqizohet.

 Neni 4

Kudo në nenin 17 të hiqen fjalët “Leje përpunimi”.

Neni 5

Neni 18.1 shfuqizohet.

Neni 6

Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 21

Personat juridikë, që paraqesin kërkesë për leje tregtimi, sipas nenit 19, të këtij ligji, janë të detyruar të plotësojnë kushtin e kapacitetit të depozitimit në instalimet, prona të tyre ose të marra në përdorim me kontratë, për një periudhë kohore, të barabartë me atë të vlefshmërisë së lejes së tregtimit. Kushtet e dhënies së lejes së tregtimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Kushti i kapacitetit të depozitimit të jetë i specifikuar, sipas llojit të lejes dhe kategorisë së produkteve, që tregtojnë.”.

Neni 7

Në nenin 25 të bëhen këto ndryshime:

a)     Fjalët “Impiante përpunimi” dhe “Leje përpunimi” hiqen.

b)     Paragrafi i fundit, i pikës 1, ndryshohet si më poshtë vijon:

“Masa e gjobës, e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, jepet nga ministri përgjegjës për veprimtarinë e hidrokarbureve, ndërsa të gjitha gjobat e tjera jepen nga Inspektorati Shtetëror i Kontrollit të Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre.”.

Neni 8

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›