VENDIM PER PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT
VENDIM
Për
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e shëndetit publik nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre.
Neni 2
Objekti
Objekt i këtij ligji janë:
a) përcaktimi i masave për kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e publikut nga dëmet nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre;
b) përcaktimi i masave, që krijojnë premisa për ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e duhanit dhe garantimin e një informimi efektiv dhe të vazhdueshëm të përdoruesve të produkteve të duhanit, për këto dëme;
c) përcaktimi i masave për të parandaluar fillimin, për të nxitur dhe mbështetur ndërprerjen e përdorimit dhe për të ulur konsumin e prodhimeve të duhanit.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllim të këtij ligji termat e mëposhtme kanë këtë kuptim:
1.“Produkte duhani” nënkupton produkte të prodhuara, tërësisht apo pjesërisht, nga gjethja e duhanit si lëndë e parë dhe që përdoren për t’u tymosur, thithur, përtypur ose nuhatur.
2.“Paketë ose pako” nënkupton çdo kuti ose qese të mbyllur, që përmban produkte duhani e që shiten me pakicë.
3.“Katran” nënkupton kondensimin, e thatë e të paholluar, pa nikotinë, të tymit që çlirohet gjatë duhanpirjes.
4.“Nikotinë” nënkupton alkaloide nikotinike helmuese, që gjenden në tymin e duhanit e që veprojnë në sistemin nervor.
5.“Monoksidi i karbonit” nënkupton një lëndë kimike, që prodhohet gjatë djegies e çlirohet me tymin e duhanit.
6.“Tregtim i produkteve të duhanit” nënkupton importin dhe eksportin e produkteve të duhanit, depozitimin për qëllime shitjeje dhe blerjeje.
7.“Pirje duhani” nënkupton ndezjen, thithjen dhe mbajtjen në dorë të ndezur të çdo produkti duhani, që digjet.
8.“Reklamë e produkteve të duhanit” nënkupton çdo formë komunikimi, rekomandimi ose veprimi tregtar, që ndikon në promovimin e një produkti duhani ose në nxitjen e përdorimit të duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, përfshirë edhe sponsorizimin ose imazhin e një produkti duhani, duke përmendur emrin apo markën, etj.
9.“Markë” nënkupton shenjën dalluese, që u vihet produkteve të duhanit për të treguar llojin, cilësinë dhe prodhuesin e tyre, ku përfshihen emrat, shkronjat, numrat, shenjat figurative, kombinimet e ngjyrave apo të nuancave të tyre, si dhe ndërthurja e tyre.
10.“Sponsorizim duhani” nënkupton çdo formë kontributi për një ngjarje, veprimtari kulturore ose sportive, apo për një individ, që çon ose mund të çojë në promovimin ose përdorimin e produkteve të duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.
11. “Promovimi i duhanit” nënkupton çdo lloj veprimtarie, ngjarje apo veprim, që ka për qëllim njohjen e publikut me produkte të reja të duhanit, që janë hedhur apo do të hidhen në treg.
12.“Mjedis publik” nënkupton një mjedis të mbyllur, i caktuar për qëndrime kolektive, si dhoma në ndërtesa, ku parashikohet të zhvillohen veprimtari në fushën e shëndetit, mirëqenies shoqërore, edukimit dhe trajnimit, tregtisë, sportit, ushqimit, artit dhe kulturës, si dhe salla pritjeje, dhoma konferencash, holle për mbledhjen e publikut, salla leksionesh, mjete të transportit publik, ashensorë, etj.
13.“Mjedis pune” nënkupton çdo hapësirë të mbyllur, ku punonjësit ushtrojnë veprimtarinë dhe detyrat, për të cilat janë punësuar, si dhe salla mbledhjesh, korridore, shkallë, ashensorë, dhoma tualeti dhe çdo mjedis tjetër të mbyllur, që frekuentohet gjatë orarit të punës.
14. ”Tavllë duhani/taketuke cigaresh” nënkupton një enë të vogël, ku shkundet hiri i produktit të duhanit që po digjet, dhe ku lihen bishtat e cigareve.
15.“Masat parandaluese të duhanpirjes” nënkupton veprimtaritë sistematike, që synojnë të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të popullsisë, duke zgjatur jetën dhe përmirësuar cilësinë e saj.
16.“KNMSHPD” është Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit.
17. “ISO”(Organizata Ndërkombëtare e Standardeve) – nënkupton një sistem referencash , sipas së cilave vendosen specifikimet dhe kriteret, që duhet të zbatohen, në mënyrë të vazhdueshme, gjatë klasifikimit të materialeve në industri, dhe furnizimin e prodhimeve, testimin dhe analizën, terminologjinë dhe ofrimin e shërbimeve.
KREU II
PARALAJMËRIMET E DETYRUARA SHËNDETËSORE NË PRODUKTET E DUHANIT
Neni 4
Në çdo njësi pakete apo paketimi, të produkteve të duhanit, duhet të figurojnë mesazhe paralajmëruese për dëmet që shkakton në shëndet, përdorimi i duhanit. Këto mesazhe duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, qartë, dukshëm dhe lexueshëm. Ato duhet të zënë 50 për qind ose më shumë, të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore.
Forma dhe teksti i mesazheve përcaktohen nga KNMSHPD-ja dhe riformulohen periodikisht.
Neni 5
1. Në paketat dhe pakot, që përmbajnë produkte duhani, duhet të figurojnë, gjithashtu, të shkruara në gjuhën shqipe:
a) Emri i produktit;
b) Emri dhe adresa e prodhuesit;
c) Numri i pjesëve të produktit të duhanit në pako apo paketë;
ç) Sasia e nikotinës në tym;
d) Sasia e katranit në tym;
dh)Sasia e monoksidit të karbonit në tym.
2. Nëse produkti nuk është paketuar nga prodhuesi i tij, paketa duhet të përmbajë edhe emrin e paketuesit. Të dhënat e përmendura në pikat 1 e 2, të këtij neni, duhet të zënë 10 për qind të sipërfaqes së jashtme të paketës dhe vendosen në faqet anësore të saj.
3. Ndalohen prodhimi në vend, importimi dhe tregtimi i produkteve të duhanit, që përmbajnë më shumë se:
- 10 mg katran për cigare;
- 1 mg nikotinë për cigare;
- 10 mg monoksid karboni.
Testet për sasinë e katranit, nikotinës dhe monoksidit të karbonit duhet të kryhen në laboratorë të akredituar nga autoritetet përkatëse, duke u bazuar në standardet ISO.
Neni 6
Ndalohet shënimi mbi paketa ose pakot e produkteve të duhanit i shprehjeve, si: “me përmbajtje të ulët katrani”, “e lehtë”, “ultra e lehtë”, “e butë” apo terma, shenja, foto, vizatime dhe elemente të tjera të ngjashme, që kanë qëllim të krijojnë përshtypje të gabuar se një produkt duhani është më pak i dëmshëm për shëndetin se produktet e tjera.
Neni 7
Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të njoftojë publikun për nivelet e katranit, nikotinës dhe monoksidit të karbonit në prodhimin e produkteve të duhanit, për ndikimin e tyre në shëndet, si dhe për çdo efekt, që shkakton ose mendohet se mund të shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj produktit të duhanit.
Neni 8
Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të duhanit janë të detyruar të paraqesin në Ministrinë e Shëndetësisë, për produktet e duhanit që qarkullojnë në tregun vendas, si dhe për çdo rast kur prej tyre hidhet në treg një produkt i ri i duhanit, një listë të të gjithë përbërësve, të përdorur në fabrikimin e produktit të duhanit dhe sasitë e tyre, arsyen apo qëllimin e përdorimit të këtyre përbërësve, si dhe të përcaktojnë funksionimin dhe kategorinë e përbërësve. Kjo listë duhet të shoqërohet me të dhëna toksikologjike, të disponueshme prej fabrikuesit apo importuesit, në lidhje me këta përbërës, në formë të djegur apo të padjegur, duke u shprehur në mënyrë të veçantë, për efektet e tyre mbi shëndetin dhe duke vlerësuar çdo efekt që shkakton ose mendohet se mund të shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj produktit të duhanit.
KREU III
MASAT KUFIZUESE PËR PËRDORIMIN E PRODUKTEVE TË DUHANIT
Neni 9
Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit, personave nën moshën 18 vjeç.
Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë, të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, personave nën 18 vjeç ”.
Neni 10
Ndalohet shitja e produkteve të duhanit:
a) në institucionet shëndetësore;
b) në institucionet arsimore;
c) në institucionet sportive;
ç) në makinat shitëse automatike;
d) me anë të vetëshërbimit;
dh)në rrugë nga shitësat ambulantë;
e) nëpërmjet shërbimit postar.
Neni 11
Ndalohet shitja me pakicë e produkteve të duhanit të papaketuara ose me paketim të dëmtuar.
Neni 12
Ndalohet ofrimi falas i produkteve të duhanit nga subjektet, që i prodhojnë, importojnë ose i tregtojnë ato.
KREU IV
REKLAMA, PROMOVIMI DHE SPONSORIZIMI
Neni 13
Ndalohen reklama dhe promovimi i produkteve të duhanit, nëpërmjet medias së shkruar, transmetimeve, televizive dhe radiofonike, e shërbimeve të shoqërive të informacionit. Ndalohen reklama dhe promovimi i çdo lloji dhe forme tjetër të produkteve të duhanit.
Ndalohet, për qëllime reklame apo promovimi, botimi i fotografive, vizatimeve, etj, në të cilat shfaqen persona, që pijnë duhan, dhe i imazheve, që krijojnë përshtypje të gabuar te publiku, për karakteristikat e produkteve të duhanit, efektet e përdorimit të tyre në shëndet, rreziqet dhe/ose dëmet.
Nuk përbëjnë reklamë dhe promovim të produkteve të duhanit librat teknikë, revistat dhe botimet e tjera profesionale për duhanin.
Neni 14
Ndalohet sponsorizimi i programeve radiofonike, televizive dhe i çdo veprimtarie tjetër nga shoqëri që kanë për objekt të veprimtarisë të tyre, prodhimin, importimin apo tregtimin e produkteve të duhanit dhe kur ky sponsorizim ka për qëllim promovimin apo reklamën e produkteve të duhanit.
KREU V
MBROJTJA PREJ EKSPOZIMIT TË PAVULLNETSHËM NDAJ TYMIT TË DUHANIT
Neni 15
Ndalohet pirja e duhanit në:
a) mjediset e punës;
b) institucionet shëndetësore, me përjashtim të institucioneve të shëndetit mendor (vetëm për pacientët);
c) institucionet arsimore;
ç) mjetet e transportit publik;
d) mjedise tregtare, bare, restorante, diskoteka dhe klubet e natës;
dh) mjedise të tjera publike.
Në mjediset/institucionet e mësipërme nxirret një rregullore e brendshme, ku theksohet ndalimi i pirjes së duhanit në këto mjedise dhe përcaktohet qartë personi, i cili do të jetë përgjegjës për rastet e shkeljes së këtij ndalimi nga çdo person.
Neni 16
Pronari ose administratori i mjediseve, të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji, ose personi i caktuar prej tyre është përgjegjës për vendosjen e shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit, në këto mjedise.
KREU VI
ORGANIZIMI I STRUKTURAVE TË MBROJTJES SË SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT
Neni 17
Pranë Ministrisë së Shëndetësisë ngrihet Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit (KNMSHPD). Kryetar i KNMSHPD-së është ministri i Shëndetësisë.
Mënyra e organizimit, funksionimit, përbërjes si dhe masa e shpërblimit të anëtarëve të komitetit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 18
KNMSHPD-ja përgjigjet për:
a) orientimin e politikave dhe strategjisë për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit.
b) rishikimin e akteve në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit dhe propozimin për përmirësimin e ligjit.
c) propozimin e programeve dhe të projekteve, për të siguruar uljen e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre programeve e projekteve.
ç) orientimin e burimeve drejt programeve dhe projekteve, që synojnë uljen e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit prej tyre.
d) sigurimin e bashkëpunimit me institucione, qeveritare dhe joqeveritare, brenda dhe jashtë vendit, për politikat e kontrollit të duhanit.
dh)paraqitjen e raporteve vjetore pranë komisionit parlamentar të shëndetësisë.
KREU VII
KONTROLLI, MONITORIMI I ZBATIMIT TË LIGJIT DHE KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 19
Kontrolli për zbatimin e:
- neneve 4, 5 e 6 është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, administratës doganore dhe Policisë Tatimore. Në rastet kur këto institucione zhvillojnë kontrolle të përbashkëta ato duhet të bashkërendojnë punën, për këtë qëllim.
- nenit 9, është përgjegjësi e Policisë Tatimore.
- shkronjave “a”, “b” e “c”, të nenit 10, është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, ndërsa e shkronjave “ç”, “d” e “dh”, të po këtij neni është përgjegjësi e Policisë Tatimore.
- neneve 11, 12, 13 e 14 është përgjegjësi e Policisë Tatimore.
- neneve 15 e 16 është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, policisë bashkiakë ose komunare, sipas territorit të juridiksionit të tyre. Në rastet kur zhvillojnë kontrolle të përbashkëta ato bashkërendojnë punën për këtë qëllim.
Ngarkohet Inspektorati Sanitar Shtetëror, i cili vepron në mbështetje të ligjit nr.7643, datë 2.12.1992, “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, të ndryshuar, për monitorimin e zbatimit të këtij ligji.
Neni 20
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë vijon:
Shkelja e neneve 4, 5, pikat 1, shkronjat “ç”, “d” e “dh”, e 3 dhe 6, dënohet me konfiskim, asgjësim të mallit dhe 5 000 000 (pesë milionë) lekë gjobë, sipas rastit, për importuesin e produktit apo prodhuesin vendas;
Shkelja e nenit 9 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë gjobë, për subjektin shitës me shumicë a pakicë të produkteve të duhanit;
Shkelja e nenit 10 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë gjobë, sipas rastit, subjektit shitës me pakicë ose pronar i veprimtarisë së parashikuar në shkronjat “ç”, “d” dhe “e”, të nenit 10;
ç. Shkelja e nenit 11 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe
20 000 (njëzet mijë) lekë gjobë, për shitësin me pakicë;
Shkelja e nenit 12 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë gjobë, sipas rastit, subjektit prodhues, importues apo tregtues, që ka kryer shkeljen;
dh. Shkelja e nenit 13, paragrafet i parë dhe i dytë, dënohet me 3 000 000 (tre milionë) lekë gjobë, për pronarin e veprimtarisë së reklamës, medias së shkruar, transmetimit televiziv, radiofonik apo të shërbimit të shoqërisë së informacionit.
e. Shkelja e nenit 14, dënohet me 3 000 000 (tre milionë) lekë gjobë për subjektin prodhues, importues apo tregtues të produkteve të duhanit, që ka kryer shkeljen.
ë. Mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në paragrafin e parë, të nenit 16, nga pronari/administratori apo personi i caktuar përgjegjës prej tyre dënohet me 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë gjobë për pronarin/administratorin e mjediseve apo personin e caktuar prej tyre.
Sanksionet për kundërvajtjet administrative, të parashikuara më sipër, ekzekutohen menjëherë. Ankimi për to bëhet në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.
Neni 21
Paragrafi i tretë, i nenit 19/a dhe paragrafi i tretë, i nenit 19/b, të ligjit nr.8691, datë 16.11.2000, “Për prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe të cigareve”, të ndryshuar, shfuqizohen.
Neni 22
Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që në zbatim të neneve 17 e 19, të nxjerrë akte nënligjore, në zbatim të këtij ligji.
Neni 23
Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”, ndërsa zbatimi i nenit 6, të këtij ligji i shtrin efektet nga data 1 janar 2009.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI