Kryeministri Berisha komenton çështjen Gjermeni
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Brendshëm Olldashi i bënë të njohur kabinetit qeveritar fakte dhe informacione që implikojnë anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Artan Gjermeni në aktivitete të paligjshme në mbrojtje dhe mbështetje të bandës kriminale të Aldo Bares. Anëtarët e Këshillit të Ministrave diskutuan gjerësisht mbi këto fakte dhe në përgjithësi mbi çështjen Gjermeni dhe pasojat e saj serioze në dëm të drejtësisë dhe integritetit të institucioneve kushtetuese.
Në komentet e tij para medias, Kryeministri Berisha u shpreh ndër të tjera:
"Ky anëtar kryesor i bandës së Lushnjes, në vend të përballimit me ligjin, njësoj si anëtarët e tjerë, lartësohet në pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Artan Gjermeni është gjykatësi kriminel, i cili në detyrën e Kryetarit të Gjykatës mbrojti me pjesëmarrje aktive, në dhunim të ligjeve të vendit dhe për interesa personale, veprimtarinë kriminale të bandës së Aldo Bares, e cila në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës ishte banda Bare-Gjermeni.
Agjencitë e zbatimit të ligjit të vendit, në mënyrë të përsëritur, kanë informuar instancat shtetërore mbi veprimtarinë kriminale të Artan Gjermenit. Mbi këtë bazë, në një kohë kur banda nuk ishte e penalizuar, Presidenti i Republikës refuzoi dekretimin e tij, ndonëse ai u përzgjodh nëpërmjet ryshfeteve, për gjykatës të Krimeve të Rënda. Por ai u la i lirë të ushtrojë profesionin e tij. Në një kohë kur organet e zbatimit të ligjit po i jepnin goditjen vendimtare bandës së Lushnjës dhe agjencitë e 5 shteteve u angazhuan për identifikimin, survejimin, përgjimin dhe arrestimin e famëkeqit Aldo Bare dhe Dondollakut, Artan Gjermeni për të shpëtuar lëkurën e tij përdori shuma të mëdha për të fituar pozicionin dhe imunitetin e anëtarit të KLD-së. Në këtë lartësim ka luajtur rol direkt ish-ministri socialist që kryeson KLD-në dhe prokurori Theodhori Sollaku, i cili dosjen e institucioneve të zbatimit të ligjit e bllokoi dhe ashtu siç pohoi dhe vetë (nëse nuk e shkruajti vet me dorën e tij edhe relacionin), i imponoi prokurorit të çështjes qëndrimin tashmë të njohur.
Sot bandat me pushtet kanë bllokuar për muaj të tërë dosjen Gjermeni, i cili duhet të jetë detyrimisht sëbashku me anëtarët e tjerë të bandës, si njeriu më kryesor i saj, krahas Aldo Bares. Ky Bareist është njeriu që dikton në KLD, që bën ligjin atje, siç ishte rasti i fundit kur ai dhe sponsorët e tij menduan se mund të bllokojnë vendimin e parlamentit, të uzurpojnë pushtetin e parlamentit.
Kushtetuta, në mënyrë taksative, ka përcaktuar juristë dhe jo gjyqtarë për anëtarë të KLD-së që zgjidhen nga Parlamenti. Gjykata Kushtetuese, në një ankesë akt-padi, të bërë jo nga kjo mazhorancë, ka shpallur jokushtetuese zgjedhjen e tillë të anëtarëve të KLD-së. Por përvec Kushtetutës, edhe ligji i KLD-së së Gjermenit, në nenin 9 të tij thekson se anëtarët e zgjedhur nga parlamenti nuk mund të jenë gjykatës, por juristë.
Por mbi ligjin, mbi Kushtetutën është droga, është zarfi, ryshfeti. Shtrohet pyetja: në rast se mandati nuk ka bazë kushtetuese dhe ligjore, cfarë baze tjetër përveç "xhepit" mund të ketë ai? Në rast se mandati nuk është i pavlefshëm ndonëse është jokushtetues, në rast se nuk është i pavlefshëm ndonëse është joligjor, çfarë duhet t'i mungojë tjetër këtij mandati që të shpallet i pavlefshëm? Dhe kjo ndodh në qeverinë e drejtësisë. Ju e shihni që në atë institucion nuk vepron Kushtetuta, ligji bazë i tij, por janë xhepi dhe ryshfeti ato që përcaktojnë legjitimitetin e mandatit.
Zoti Ministër i Drejtësisë, duhet t'i bësh sot të qartë KLD-së, në emër të qeverisë, se qeveria në mënyrë absolute nuk do të pranojë diktatin e Gjermenit, nuk do të pranojë uzurpimin e pushtetit të parlamentit dhe përfaqësimin e tij, në asnjë institucion ku përcakton Kushtetuta. Kjo qeveri dhe ky kryeministër, me Kushtetutë janë të detyruar të zbatojnë legjislacionin e miratuar. Ata duhet të kenë të qartë se qeveria nuk mposhtet as nga droga e Gjermenit, as nga ryshfetet, por qeveria është shumë e vendosur të zbatojë Kushtetutën, ligjet e vendit ashtu siç janë, të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndaj, zoti ministër i Drejtësisë je i autorizuar nga qeveria të bësh të qartë gjithë këtë qëndrim".