VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT “MASTER I NIVELIT TË PAR˔, PËR PËRCAKTIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTË PROGRAM STUDIMI, NË UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
HAPJEN E PROGRAMIT TË STUDIMIT “MASTER I NIVELIT TË PARË”, PËR PËRCAKTIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTË PROGRAM STUDIMI, NË UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, në universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë, në Fakultetin e Shkencave Teknike, të programeve të studimit “Master i nivelit të parë”, në “Operacione industriale dhe navale”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” (MNP), në “Operacione industriale dhe navale”.
2. Programi i këtij studimi, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale është një vit.
3. Kuota e pranimeve në programin e studimit “Master i nivelit të parë”, në “Operacione industriale dhe navale”, me kohë të plotë, në universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë, për vitin akademik 2008-2009, të jetë 30.
4. Tarifa vjetore e shkollimit, për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, në programin e studimit “Master i nivelit të parë”, në “Operacione industriale dhe navale”, do të jetë 100 000 (njëqind mijë) lekë.
5. Universiteti “Ismail Qemali”, në Vlorë, shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata, që i kanë përfunduar këto studime pranë këtij universiteti. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, të diplomuar pranë tij.
6. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, përcaktuar nga njësitë kryesore të universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, bëhen publike paraprakisht.
7. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbërit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur këtë program studimi, të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.
8. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.
9. Në çdo program studimi, “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit, në vitin akademik pasardhës.
10. Kuotat e pranimeve në programet e studimit “Master i nivelit të parë”, sipas pikës 3, të këtij vendimi, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen, sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
11. Ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
13. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/02/2009