VENDIM PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “JUSTINIANI I”
HAPJEN E PROGRAMEVE TË REJA TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “JUSTINIANI I”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44, pika 2, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare private, “Justiniani I”, me seli në Tiranë, të programit të studimit, të ciklit të parë, me kohë të plotë, të fakultetit të Diplomacisë.
2. Kohëzgjatja e programit të studimit, të ciklit të parë, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, do të jetë 3 vite. Në përfundim të tij lëshohet “Diplomë e nivelit të parë”, (DNP), në Diplomaci.
3. Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare private, “Justiniani I”, të programit të studimit të ciklit të dytë, me kohë të plotë, në fushën e Drejtësisë, i cili do të realizohet me, së paku, 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite. Në përfundim të studimit lëshohet “Diplomë të nivelit të dytë”, (DND), në Drejtësi.
4. Hapjen, pranë shkollës së lartë universitare private, “Justiniani I”, të programit të studimit “Master i nivelit të parë”, në degën “Jurist administrate”. Ky program studimi do të realizohet me, së paku, 60 kredite e me kohëzgjatje normale 1 vit. Në përfundim të këtij studimi lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, (MNP), në “Jurist administrate”.
5. Ngarkohet shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit nga personel akademik, me kualifikimin e nevojshëm dhe sipas specialitetit.
6. Shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, të përcaktuara në pikat 1, 3 e 4, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse, nga ministri і Arsimit dhe Shkencës.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim.
7. Ndryshimet në vendndodhje, forma studimi, plane dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
8. Shkolla e lartë universitare private, “Justiniani I”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
9. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/02/2009