VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
VENDIM
PëR
PëRCAKTIMIN E PROCEDURAVE Të SHPëRNDARJES Së FONDIT Të KOMPENSIMIT Në VLERë PëR PRONARëT E PASURIVE Të PALUAJTSHME, PRONë PRIVATE, Që PREKEN NGA NDëRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 8, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (në vijim AKKP), në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht në media dhe/ose nëpërmjet faqes së vet zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave, për periudhën përkatëse.
2. Në njoftimin publik duhet të përcaktohen:
a) gjenealitetet e përfituesit;
b) periudha kohore e paraqitjes së kërkesës;
c) dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës;
ç) vlera e tarifës së shërbimit;
d) detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.
3. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 (pesë) ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 (tridhjetë) ditë.
4. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës.
5. Kjo procedurë kryhet për çdo fond që i kalon AKKP-së sipas ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, dhe në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
6. Subjekti apo përfaqësuesi me prokurë i tij, brenda afatit të përcaktuar në njoftimin publik, paraqet pranë zyrës së AKKP-së, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie;
c) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre;
ç) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
d) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit;
dh) Mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.
7. AKKP-ja bashkëpunon me ALUIZNI-in dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese.
8. Grupi i punës, sipas pikës 4, të këtij vendimi, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e kërkesës për kompensimin e pronës, kryen veprimet e mëposhtme:
a) Verifikon legjitimimin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensimin e pronës;
b) Kontrollon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues;
c) Konfirmon të dhëna të tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse;
ç) Harton relacionin, në të cilin i propozon drejtorit të Përgjithshëm kalimin e shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse;
d) Harton listën e subjekteve që kompensohen.
9. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në përfundim të procesit të verifikimit nga grupi i punës,:
a) nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit;
b) urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen;
c) njofton kërkuesin, që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.
10. AKKP-ja kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
11. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, AKKP-ja realizon ndarjen e fondit aktual të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve, të miratuara deri më tani.
12. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
20/05/2010