VENDIM PËR SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”, NË ELBASAN
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”, NË ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e zonës ekonomike, me statusin “Park industrial”, të sipërfaqes 254.7 (dyqind e pesëdhjetë e katër pikë 7) ha, pjesë e zonës kadastrale nr.3965, Elbasan.
2. Shtrirja dhe kufizimet e kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Në këtë zonë ekonomike do të zhvillohen veprimtari:
- prodhuese, industriale;
- shërbimi;
- tregtare;
- import-eksporti.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 vjet.
5. Sipërfaqja prej 188.4 (njëqind e tetëdhjetë e tetë pikë 4) ha, pronësi shtetërore e zonës ekonomike, jepet me koncesion.
6. Procedura e përzgjedhjes së zhvilluesit të zonës bëhet në mbështetje të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”.
7. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA