Kryeministri Berisha: Shqipëria po bëhet vendi më interesant për investimet e huaja
- Motorët e rritjes së investimeve janë vënë në punë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën me temë “Të shohim përtej tranzicionit”, që po zhvillon punimet në Tiranë, nga datat 3-4 qershor. Kjo konferencë u organizua nga Parlamenti shqiptar, Rrjeti parlamentar i Bankës Botërore dhe Banka Botërore për Europën dhe rajonin e Azisë Qendrore.
Takimi, në të cilin merrnin pjesë 40 parlamentarë nga e gjithë Europa, kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencave për zhvillime të rëndësishme të vendeve në tranzicion, si dhe takimin e parlamentarëve nga vendet e rajonit me ekspertë perëndimorë dhe të BB-së, për të ndarë së bashku kërkimet e fundit dhe mendimet e tyre mbi çështje të rëndësishme.
Tre aspektet kryesore të punimeve të konferencës ishin; klima e investimeve, çmimi i ushqimeve dhe energjisë dhe çështja e plakjes së popullsisë dhe demografia.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh:
“Është një privilegj i madh për mua t’ju drejtohem ju sot, t’ju përshëndes, të falënderoj Bankën Botërore për organizimin në Shqipëri të këtij takimi shumë të rëndësishëm të parlamentarëve të Europës dhe rajonit të Azisë Qendrore, nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Estonia, Hungaria, Kosova, Serbia, Moldavia, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia. Ju përshëndes ju dhe vendet tuaja dhe jam shumë i nderuar për praninë tuaj sot këtu.
Ju do të trajtoni një agjendë të rëndësishme, duke filluar nga klima e investimeve, çmimi i ushqimeve dhe energjisë, ku rajoni është më i prekuri nga këto probleme, plakja e popullsisë dhe demografia.
Shqipëria mbetet një shembull i ndritshëm në indeksin demografik, integrimi Europian është ëndrra e vendit tim. Gjithashtu, përfitoj nga rasti të falënderoj Bankën Botërore, për ndihmën shumë të madhe që i ka ofruar Shqipërisë gjatë këtyre 18 viteve përpjekjesh, në zëvendësimin e sistemit totalitar të hiperkolektivizmit me demokracinë e bazuar në ekonominë e tregut.
Jam gjithashtu i lumtur t’ju informojë ju se qeveria ime, që prej ardhjes në pushtet, ka patur si prioritet përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe investimet e huaja të drejtpërdrejta. Shqipëria po vuante nga krimi i fuqishëm i organizuar dhe një korrupsion sistematik. Që në fillim, në deklaruam zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe ju them se krimi i organizuar ne Shqipëri ishte një nga më të fuqishmit dhe të pasurit në Europë. Për dy vjet, nëpërmjet një lufte me zero tolerancë, ne shkatërruam mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, ndërkohë që mbi 900 anëtarë të këtyre bandave janë vënë para drejtësisë. Tani vendi im ka një indeks më të ulët të krimit se mesatarja e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian. Ne do te vazhdojmë të luftojmë me zero tolerancë për të konsoliduar sigurinë, për të bëre jetën dhe investimet e qytetarëve shqiptar më të sigurtë.
Së dyti, korrupsioni ishte një faktor i madh, që dëmtonte klimën e biznesit. Ne kemi nisur reforma të mëdha dhe të thella, ne e nxorëm administratën dhe qeverinë jashtë konfliktit të interesit. Askush në administratën time nuk ka konflikt interesi, ndryshe nga administrata e mëparshme, ku ministrat drejtonin monopole të, ushqimeve, vajit, ndërtimit etj.
Së dyti, ne kemi vendosur disa standarde të reja në zyrat tona. Ne i treguam shqiptarëve se do të fillojmë të luftojmë korrupsionin nga vetvetja, nga zyrat tona. Duke vendosur këto standarde që tregojnë se nuk mund të përdoren paratë publike për motive personale, ne arritëm të ulim shpenzimet operative të administratës nga 3 për qind në 2.1 për qind të GDP-së, që është 31 për qind më pak se më parë.
Së treti, ne hartuam një ligj të veçantë për korrupsionin. Kjo na ndihmon shumë. Dhjetëra dhe dhjetëra funksionarë zyrtarëtë lartë të nivele të ndryshme po përballen me drejtësinë. Prokurimet ishin një problem i madh. Disa raporte tregojnë se 70 për qind e tyre ishin të drejtpërdrejta. Raporti i fundit i Komisionit Europian për vitin 2007 thotë se qeveria nuk ka kryer asnjë prokurim të drejtpërdrejtë. Javën e kaluar kemi bërë një prokurim të plotë elektronik dhe gjatë këtij viti do ta zgjerojmë në të gjitha agjencitë këtë shërbim. Në këtë mënyrë, kostoja e prokurimeve është reduktuar me 18 për qind. Ne kemi ngritur një Avokat të Prokurimeve. Ne kemi ndryshuar ligjin për koncesionet për partneritetin privat e publik. Ligji i ri nuk lejon koncesione të drejtpërdrejta, por sipas investitorëve, ky është një nga ligjet më të mirë.
Sipas një raporti të Bankës Botërore për vitin 2004, mbi 1.4 miliardë dollarë amerikanë zhdukeshin, duke përfunduar në llogaritë e zyrtarëve, doganierëve, kontrabandistëve. Ne morëm disa masa drastike për reformimin e autoritete fiskale, autoriteteve doganore, ku në disa raste informaliteti ishte mbi 90 për qind. Por, përpos faktit se ne ulëm taksat më shumë se çdo vend tjetër në Europë, këtë vit ne mblodhëm më shumë se 1.2 miliardë dollarë se në vitin 2005 në dogana dhe taksa.
Ne kemi dërguar në parlament çdo vit, në qershor, një buxhet të dytë, falë një perfomancë fiskale të mirë. Ne lançuam nismën “Shqipëria një Euro”, ku investitorët mund të kenë kontratën e plotë të çdo lloj toke për qëllime industriale, turistike apo bujqësore, për një euro.
Lufta kundër korrupsionit është objektivi kryesor dhe më i rëndësishmi i qeverisë sime. Ne jemi më të angazhuar se kurrë kundër korrupsionit, pasi ne shohim rezultate të mëdha. Biznesi në Shqipëri regjistrohet për një euro nëpërmjet “One Stop Shop”. Për dy javë, mbi 50 për qind të licencave do të zhduken, në pak muaj licencat e tjera do të jene subjekt i “One Stop Shop” për licencat dhe lejet, falë programit të Sfidës së Mijëvjeçarit.
Sot qeveria miratoi gjashtë parqe industriale në gjashtë rajone të mëdha të Shqipërisë.
Ne kemi një sistem fiskal të favorshëm, një taksë të sheshtë 10 për qind dhe 31 për qind kontribute sociale. Së shpejti ne do të jemi një vend ku nga 25 taksa kombëtare do të kemi 6 taksa kombëtare. Ne po punojmë fort që ta bëjmë vendin shumë të favorshëm për investimet e huaja. Taksat online po progresojnë. Ne kemi nisur programin e Sfidës së Mijëvjecarit, por brenda 2 muajve, 200 biznese do të regjistrohen online. Në maj, mbi 1 000 biznese do regjistrohen online, ne do ta zgjerojmë në të gjitha bizneset e vendin tim. Reformat po vazhdojnë. Ne po punojmë me Bankën Botërore dhe Doing Business. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë për ligjin e shoqërive tregtare, falimentimit, po punojmë me inspektoratet për të realizuar një reformë të thellë në to. Pra, çdo gjë po e bëjmë për të lehtësuar biznesin.
Vendi im po bëhet vendi më interesant për investimet tuaja. Motorët e rritjes së investimeve janë vënë në punë. Këtë vit, presim një rritje më të madhe se vitin e kaluar. Pashë disa të dhëna para se të vija këtu. Ka mbi 11 700 biznese të reja që janë regjistruar në pesë muajt e fundit. Pres që numri i biznese të reja të dyfishohet në krahasim me ato të 2006-2007.
Kemi reduktuar me 50 për qind taksat për biznesin e vogël. Inflacioni ndodhet nën kontroll, fatkeqësisht, ndodhet në një zonë inflacioniste për shkak të çmimit të naftës, por leku jonë po ecën mirë. Në shumë aspekte është më i fortë se kurrë. Norma e inflacionit ishte 2.9 për qind vitin e kaluar dhe mund të jetë 4 për qind këtë vit, për shkak të disa lëvizjeve të detyruara që bëmë me çmimin e energjisë. Por gjithçka është nën kontroll të plotë. Investimet ishin 3 here më të larta në vitin 2006, se në 8 vitet e fundit.
Ne presim që ky të jetë viti më i mirë për investimet. Kompanitë më të mëdha europiane po operojnë në Shqipëri në hidrocentrale, miniera, çimento, turizëm dhe fusha të tjera. Eksporti u rrit me 28 për qind vitin e kaluar dhe në këto pesë muaj është rritur me 32 përqind Ekomonia shqiptare është e re, e vogël, dinamike dhe premtuese. Vendi ynë është një vend i vogël, por me burime shumë të mëdha, që i ofron investitorëve tuaj potenciale të mëdha.
Ne jemi të hapur ndaj burimeve të tjera të energjisë – energjisë se erës, përfshirë edhe energjinë bërthamore. Ambicia ime është që Shqipëria të kthehet në një superfuqi bërthamore në rajon. Ne jemi përballë Italisë. Ky është një privilegj dhe ne do të mundohemi ta përdorim atë.
Turizmi është një nga potencialet më të mëdha të këtij vendi. Ne kemi një bregdet të bukur 400 km të gjatë, me vende tepër të bukura historike dhe arkeologjike, të pashfrytëzuara, që presin të zhvillohen dhe për të cilin ka një interes të madh nga investitorët e huaj.
Ne jemi një vend me depozita minerale. Ne jemi vendi i katërt në botë për burimet e kromit, një ton krom kushton 400 dollarë ne treg. Shqipëria është e e pasur me nikel, hekur, hekur-nikel, bakër, baokside. Prandaj, kompani të mëdha janë fokusuar në minierat tona dhe sektori i minierave të Bankës Botërore po na ofron një ekspertizë të shkëlqyer për një përdorim më të mirë të këtyre aseteve kombëtare.
Ky është viti i privatizimeve të mëdha, liberalizimeve të mëdha. Ne po privatizojmë pothuajse të gjitha asetet tona. Rafineritë janë në proces privatizimi, shoqëria e sigurimeve do të ketë të njëjtin fat. Rrjeti i shpërndarjes së energjisë është në proces, ndërkohë që ne po punojmë me IFC-në . Besoj se kompanitë e vendeve tuaja do të përfitojnë shumë nga ky proces.
Edhe njëherë, dua t’ju falënderoj që keni zgjedhur Shqipërinë për organizimin e këtij takimi
Faleminderit shumë”