E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9655, DATË 11.12.2006, “PËR AKADEMINË E SHKENCAVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR”

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9655, DATË 11.12.2006, “PËR AKADEMINË E SHKENCAVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”


Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9655, datë 11.12.2006, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, me procedurë të përshpejtuar, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.


K R Y E M I N I S T R I


SALI  BERISHA

 

P R O J E K T L I GJ


PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9655, DATË 11.12.2006, “PËR AKADEMINË E SHKENCAVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR


Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Nё ligjin nr.9655, datё 11.12.2006, “Pёr Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, tё bёhet ky ndryshim:

Neni 1

Neni 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 6
Përzgjedhja e anëtarëve

Anëtarët e rregullt të Akademisë zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar, me titull “Profesor”, që kanë ose kanë patur kombësi shqiptare, të cilët, nëpërmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese, me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur, teorikisht dhe praktikisht, probleme të një rëndësie të veçantë, në fushën e shkencës, të ekonomisë, artit dhe kulturës, si dhe kanë dhënë ndihmesë në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj. Anëtarë të rregullt të Akademisë zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve të shquar shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve dhe qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimin e akteve, ligjore e nënligjore në fuqi, për kërkimin e titullit “Profesor”.

Në raste të veçanta, anëtarë të rregullt të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete, me merita të shquara në fusha të ndryshme të krijimtarisë.

Anëtarë të përhershëm të Akademisë zgjidhen akademikët, që kanë mbushur moshën 75 vjeç dhe kanë një kontribut të shquar, të vlerësuar gjerësisht, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Anëtarët e asociuar të Akademisë zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve, me titull “Profesor”, që kanë ose kanë patur kombësi shqiptare, të cilët, nëpërmjet punimeve dhe veprave shkencore, kanë dhënë ndihmesë të rëndësishme në zhvillimin e shkencës dhe formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj. Anëtarë të asociuar të Akademisë zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore, “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve e qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimet e akteve, ligjore e nënligjore në fuqi, për kërkimin e titullit “Profesor”.

Anëtarët e nderit zgjidhen nga radhët e personaliteteve të njohura të vendeve të tjera, të cilët kanë dhënë kontribut të shquar në zhvillimin e vendit tonë.

Personat, që kanë funksione të larta, administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë, të rregullt dhe të asociuar, të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve.

Procedurat për zgjedhjen e anëtarëve përcaktohen në statutin e Akademisë.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I


JOZEFINA TOPALLI


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›