VIDEO- E konsideroi rrëmbim policor, momenti kur Erion Veliaj mbërrin në burgun e Fierit
Këto janë pamjet nga momenti kur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbërritur në burgun e Fierit, pas transferimit nga Durrësi.
Vendimi për transferimin e tij në Fier u mor nga Drejtoria e Burgjeve, ndërsa vetë Veliaj e konsideroi veprimin si një rrëmbim policor.
Veliaj shkruan në reagim se ka kundërshtuar transferimin e tij drejt Fierit, ndërkohë që nuk iu dha asnjë arsye lidhur me këtë.
Ai pretendon se nuk iu vu në dispozicion akti ligjor dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
“Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.
I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik”, shkruan Veliaj.
Kujtojmë që ky vendim erdhi dy ditë pasi Erion Veliaj bëri një status në rrjetet sociale, ku doli në mbështetje të protestave studentore.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkroi Veliaj.