Veliaj u dërgua në burgun e Fierit, Avokati i Popullit nis verifikimet për transferimin dhe izolimin e kryebashkiakut të Tiranës
Avokati i Popullit ka shkuar në burgun e Fierit për të verifikuar nëse transferimi dhe mbajtja në izolim e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, janë kryer në përputhje me ligjin.

Kontrolli ka për qëllim të sqarojë arsyet dhe procedurat që çuan në transferimin e Veliajt, si dhe kushtet në të cilat ai po qëndron. Sipas informacionit të bërë publik, kryebashkiaku ndodhet në izolim, në një qeli pa dritare dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Verifikimet do të përqendrohen te respektimi i procedurave ligjore për transferimin, garantimi i të drejtave të personit të paraburgosur, si dhe te kushtet e qëndrimit dhe masat e sigurisë të aplikuara ndaj tij.
Transferimi i kryebashkiakut nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndronte që prej arrestimit të tij në burgun e Fierit, u krye sot pas vendimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Veliaj, në një reagim në rrjete sociale, e cilësoi transferimin si një “rrëmbim policor” pasi nuk ishte njohur me aktin që urdhëronte transferimin dhe arsyet e lidhura me këtë vendim.