E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëmbim policor”- Reagon Erion Veliaj pas transferimit në burgun e Fierit: Nuk u njoha me aktin ligjor, nuk e kam dhënë pëlqimin dhe kundërshtova! Kërkesë Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komunitetit të Helsinkit të ndërhyjnë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar në rrjetet sociale pas transferimit të tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke e cilësuar veprimin si “rrëmbim policor”.

ERION VELIAJ

Veliaj shkruan në reagim se ka kundërshtuar transferimin e tij drejt Fierit, ndërkohë që nuk iu dha asnjë arsye lidhur me këtë.

Ai pretendon se nuk iu vu në dispozicion akti ligjor dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

DEKLARATË PËR SHTYP E KRYEBASHKIAKUT ERION VELIAJ:

Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.

Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.

Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.

I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.

Erion Veliaj

IEVP Durrës, 28 tetor 2026

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›