VIDEO E SKANDALIT: Ja si po e rrjepin Azotikun njerëzit e Ilir Metës
Disa ditë pasi gazeta Tema denoncoi skandalin e rëndë të vjedhjes së skrapitnë Azotikun e Fierit, Top Channel ka sjellë video si provë e kësaj vjedhje. Ky televizion thotë se do vijojë të denoncojë shkrirjen e Azotikut, por edhe të tjerë fabrikave. Pas këtij skandali është Nard Koka, vëllai i deputetit të LSI, Lefter Koka, kurse krejt operacioni drejtohet nga vetë Ilir Meta.
Gazeta Tema zbardhi e para detajet e këtij skandali të rëndë.
Për të bërë një përmbledhje të shpejtë. Bëhet fjalë për një tender të organizuar në shkelje me ligjin, që i sjell miliona lek dëm buxhetit të shtetit. Si të mos mjaftonte kjo, njerëzit e Ilir Metës, që kanë rrëmbyer këtë tender, nuk po ndalen me skrapin që kanë përfituar nga tenderi i paligjshëm, por po grabisin çdo hekur që u del përpara në ndërmarrjet e Azotikut dhe tek TEC-i i Fierit.
Policia bën sehir ndaj kësaj vjedhje gjigante, të urdhëruar nga strukturat e qeverisë, të cilat kanë rënë në dorën e LSI që pas marrëveshjes së turpshme për të ndarë shtetin me përqindje mes Metës e Berishës.
Ndaj kësaj vjedhje është depozituar një kallëzim penal, ndërkohë që gazeta Tema disponon provat shkresore dhe filmike për këtë krim mbi pronën e të gjithë shqiptarëve.
Historia me pak fjalë
Në tenderin e organizuar për blerje skrapi në Azotikun e Fierit, konkurruan katër kompani. Tre prej tyre u skualifikuan dhe fitues u shpall Kurum, ndërkohë që tenderi menaxhohet në terren nga Leonard Koka, vëllai i deputetit të LSI, Lefter Koka. Kompania kishte ofruar një shumë për skrapin rreth 570 milion lek më pak se vlera e tregut. Kjo nuk u mor parasysh. Me shpejtësi e në shkelje të ligjit Agjencia e Prokurimit Publik shpalli fituesin, edhe pse kishte një ankesë ndaj tenderit. As një shkresë e kësaj agjencie për vlerësimin si të paligjshme të kontratës nuk ndaloi nisjen e punës. Edhe pse tenderi u bë për më pak se çerekun e skrapit që ndodhet tek Azotiku, fituesit po marrin të gjithë skrapin që ndodhet aty, madje nuk janë ndalur, por po marrin edhe skrap nga TEC-i, duke e shkatërruar atë. Policia është lajmëruar për këtë vjedhje, por nuk ka reaguar.
