Pse kërkon Fullani të zhdukë videon e regjistruar të Fahri Balliut
Gjyqtarja në konflikt interesi ka marrë përsipër të pastrojë aparatin regjistrues nga videot e tjera që komprometojnë Metën, duke i bërë ato nul me të njëjtin stil që po bën të pavlefshme provat kundër Metës
Adriana Fullani, anëtarja e trupit gjykues, e cila këmbënguli në gjyq për të mbrojtur tri ekspertët e caktuar nga Ilir Meta dhe në ekspertimin e orës që ka kryer përgjimin Dritan Prifti, është në konflikt të pastër interesi dhe duhet të përjashtohet nga trupi gjykues. Zonja Fullani është gruaja e Adrian Fullanit, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë që po rikandidon dhe votat e LSI janë vendimtare për një mandat të ri të tij.
Por interesant është dhe roli i zonjës Fullani në kërkesën e saj për të marrë kontrollin mbi aparatin e përgjimit të përdorur në video-skandalin. Bëhet fjalë për kuriozitetin e saj dhe të disa të tjerëve për videot e tjera në atë përgjim. Gazeta Tema ka arritur të shikojë videon numër 3 në atë regjistrim që i përket drejtorit të gazetës 55, Fahri Balliu, i cili bisedon me Dritan Priftin dhe i kërkon atij një nder për skrap me disa biznesmenë rusë duke i premtuar se fitimet do ti ndante me Metën. “Ka aty për mua, Ilirin dhe ty”, thotë Fahriu. Videoja, e cila nuk është çudi të shikojë së shpejti dritën e transmetimit, është një akuzë e re për Ilir Metën dhe klanin e tij në media dhe pushtet.
Nëse kjo video bëhet publike, prokuroria mund të fillojë javën që vjen çështjen ndaj Balliut dhe të rihapë çështjen që po tenton të mbyllë Ilir Meta.