E Diel, 1 Nëntor 2026

VIDEO/ Karakaçi inspekton punimet në aksin Elbasan-Papër: Puna po vazhdon me ritme të kënaqshme

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i shoqëruar nga Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, ka inspektuar punimet për ndërtimin e aksin rrugor Elbasan-Papër.

Gjatë inspektimit, Karakaçi u ndal te rëndësia e këtij segmenti, që sipas tij lidhet me Korridorin VIII, i konceptuar në një ndarje me tre faza.

Sipas ministrit, puna për këtë segment po vijon dhe deri më tani ka ecur me ritme të kënaqshme.

“Ky është një segment i rëndësishëm, pasi lidhet me Korridorin VIII, që është konceptuar i ndarë në tre faza. Faza e parë është Elbasan-Qafë Thanë, i cili tashmë është i kontraktuar, përveç disa rrëshqitjeve që ne kemi pasur mundësinë që t’i shikojmë. Puna besoj ka ecur me ritme të kënaqshme dhe vazhdon puna. Diku këtu, Korridori VIII lidhet me Bypass-in e Elbasanit dhe duhet të fillojë proicedura e kponkurrimit shumë shepjt dhe lidhet më pas me Elbasan-Papër dhe Ura e Grykshit”, tha ndër të tjera Karakaçi.

Ky investim pjesë e Korridorit VIII, do të përmirësojë qarkullimin rrugor me kushte e standarde të larta sigurie. Në përfundim të punimeve kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A që plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret europiane të lëvizjes.

Korridori VIII është një nga korridoret e rëndësishme PanEuropiane që përshkon Shqipërinë dhe konsiderohet si investim strategjik në infrastrukturë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›