VIDEO/ Protestuesit u ‘strehuan’ te selia e PD-së teksa ndiqeshin nga policia, dalin pamjet teksa efektivët kanë hedhur gaz lotsjellës drejt godinës
“Panorama Online” ka siguruar pamje të reja momentet kur protestuesit janë drejtuar drejt selisë së Partisë Demokratike, teksa ndiqeshin nga forcat e policisë.
Sipas pamjeve, protestuesit të cilët ishin futur në oborrin e godinës, janë detyruar të dynden brenda selisë blu, pasi drejt tyre është hedhur gaz lotsjellës nga efektivët të cilët qëndronin në hyrje selisë.
Ata kanë vrapuar, ndërsa në pamje dëgjohen thirrje teksa një person thotë “mbylleni derën”.

Kujtojmë se lidhur me incidentin reaguan edhe deputetët dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilët u shprehën se nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë provokim apo incident që ta justifikonte një veprim të tillë nga Policia e Shtetit.
“Policia po realizon në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e Partisë Demokratike në shkelje të rëndë të ligjeve dhe Kushtetutës. Jo vetëm që hedhin sasi të mëdha bombash gazi pa pasur asnjë motiv, vetëm për reprezalje ndaj Partisë Demokratike.
Sasitë e gazit kanë qenë kolosale. Nuk ka pasur asnjë tentativë, asnjë përpjekje nga asnjë protestues që të kryejë aktin më të vogël ndaj kësaj selie. Në këtë kuadër, paralajmëroj Edi Ramën se, me skenarë të tillë, puthadorët, ne i kemi paralajmëruar dhe prapë i paralajmëroj se do të mbahen personalisht përgjegjës si manipulues të shpifur në duart e Edi Ramës, që bëjnë gjithçka kundër protestuesve.
Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, nga Saranda në Tropojë. Në këto katër anë të vendit, regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi”,– tha Berisha.

