Kuzhinieri shqiptar Altin Prenga, është renditur në katërshen e ekselencave gastronomike, sipas revistës së famshme "Vogue Italia".
Prenga është vlerësuar si një ndër katër shefat e kuzhinës që po revolucionojnë gastronominë botërore.
Në artikullin me titull “Revolucion ushqimor - katër fytyrat e reja të kuzhinës botërore", shqiptari Altin Prenga, suedezi Magnus Nilsson, braziliani Beto Pimentel dhe algjeriani Sid Ali Lahlou, sillen si shembujt më të mirë për “kujdesin e madh që tregojnë në përzgjedhjen e përbërësve, duke përdoruar kryesisht ato të prodhuar sa më pranë restoranteve apo edhe të kultivuar prej tyre”.
Altin Prenga, 30 vjeç, është një kuzhinier i ri, plot pasion, i dashuruar me tokën e tij. Pas dhjetë vjetëve emigracion në Itali, është kthyer në vendlindje me idenë e qartë për të hapur një agriturizëm e për të realizuar ëndrrën e tij të një kuzhine tradicionale që të vlerësojë pjatancat dhe prodhimet vendase. Por me punën e tij disavjeçare te Mrizi i Zanave, Altin Prenga është tashmë edhe ambasador i kulturës gastronomike pastorale shqiptare.
Për restorantin e tij Mrizi i Zanave (që është edhe titulli i një përmbledhjeje lirikash të poetit Gjergj Fishta) në Fishtë të Lezhës, revista Vogue përmend disa nga recetat më të mira si mish keci të gatuar në qumësht, reçele kumbulle e fiku të egër, gliko arrash dhe thane. Përbërësit që Prenga përdor në kuzhinën e restorantit të tij prodhohen që të gjitha në fshatin Fishtë dhe në pyjet përreth. /Indeksonline/