"VOTAT-PLUMB PER ARMIKUN!"
Ndodhia
Nuk ia dola ta vërtetoj nëse ndodhia e mëposhtme ka ndodhur pikërisht siç do ta tregoj më poshtë. Tani "armiku i vjetër i Partisë" ka disa vjet që ka vdekur. Po le të jemi më të qartë.
Në këtë ndodhi bëhet fjalë për një "armik", i cili pas viteve të burgut, hiqte dënimin e tij si i internuar në një fshat të Lezhës. Ishte dita e votimeve. Në zgëqen ku jetonin burrë e grua buçiste radioja që me natë: "Vota juaj është plumb për armikun! Votoni për Frontin Demokratik të Shqipërisë! Duke votuar për Frontin ju kini votuar për të ardhmen e ndritur - atëbotë kjo e ardhme nuk ishte europiane, si sot - dhe për mirëqenien e fëmijëve tuaj! Sapo njoftohemi se Puka votoi 100 për qind për kandidatët e Frontit Demokratik. Telefonin ia kalojmë tani qytetit të Fierit, ku naftëtarët tanë të palodhur e trima nuk i kanë kursyer …" e kështu, të tjera broçkulla propagandistike si këto.
- U bëre gati? - e pyet "armiku" të shoqen në këtë sfond kriminal të propagandës zanore zyrtare.
- S‘u bë qameti, ja sa të krihem, - ia kthen me përtesë e shoqja, s‘kemi pse nxitohemi.
- Po ti e di që "këta" këtë shohin: kush shkoi, kur shkoi, sepse vetë kemi qenë në strukturat e larta të shtetit dhe e dimë se si funksionon kjo punë.
Ndërkaq vazhdonte zëri i spikerit: "Votat plumb për armikun!... Halë në sy!... Ne në gojë të ujkut hedhim valle…".
- Eja, pra të shkojmë e t‘i fusim nga një plumb vetes, - i thotë "armiku", i cili duket se, pavarësisht vuajtjeve, nuk e paskësh humbur sensin e humorit.
E shoqja e sheh me habi.
- Ǒka për të ngritur vetullat?,- ia ktheu i shoqi, - a jemi armiq? Jemi. A është vota plumb për armikun? Është. Ja se si do t‘ia fusim plumbin vetes…
1.
Dje, ndërsa rrekesha të mblidhja mendimet e mia në këtë shkrim, m‘u kujtua historia e mësipërme. Sigurisht jo krejt rastësisht apo për ndonjë tendencë bizarre. Realiteti në të vërtetë ka ndryshuar thuajse thelbësisht. Tashmë mediat nuk janë më të komanduara nga partia-shtet, por vetëm nga partitë veç e veç. Togfjalëshi "Vota plumb për armikun!" nuk shqiptohet më, megjithatë tensioni ndjehet gjithandej, thua se dikush është fshehur prapa gardhit në pritje të vrasjes së radhës. Dikush këmbëngul të thotë se kjo ndjesi tensioni që sillet në ajër, më së shumti shkaktohet nga vetë media dhe nga presioni i informacioneve që jo gjithmonë janë të vërteta. Plagosje. Rrahje nga dritaret e makinave. Militantë të PS u rrahën nga ata të PD-së e anasjelltas. Djegie flamujsh. Gërvishtje të pabesa posterash. Analistë të shumtë që kurrë s‘e kanë kaluar Kasharin, përpos rasteve kur u është dashur që të fluturojnë për jashtë shtetit, synojnë të përcjellin në eter konkluzione thellësisht personale, më së shumti të paguara. Komisionerë që bërtasin. Kandidatë për deputetë që hyjnë e dalin nëpër ekrane me ose pa stilolapsa, me ose pa kamera. Të tjerë që marrin urdhra nga partitë përkatëse. Pjesëmarrja në zgjedhje. Fytyra e murrëtyer e Kastriot Islamit dhe ajo gazmore e Sali Berishës.
Tension. Tension i lartë që duket sikur vret. Në minimum mpin emocionet dhe turbullon të ardhmen. Shoh një ministër në detyrë me fytyrë të ngurtësuar. Është bërë një ish. Të paktën sot. Poshtë shtëpisë sime është selia e një partie politike. Duket sikur ka rënë zia. Nuk dinë asgjë. Nuk u besojnë as telefonatave, as analistëve. Ankthi është shndërruar në një shpend flatramadh që ka marrë nën hijen e vet jetën deri pak çaste më parë thuajse normale të vendit.
Po, përse kjo ringjallje periodike e tensionit sa herë që kemi zgjedhje? Përse kjo ndjenjë "e vjetër" e votës "plumb për armikun"?
Ndjenja e përgjegjësisë publike dhe politike për këtë "provim" të pjekurisë së demokracisë sonë?
2.
Një mendje gjakftohtë, aq sa mund të jetë gjakftohtë në këtë tension të lartpërmendur, nuk e ka të vështirë se më së shumti ndjesia e ndryshimit ose jo të pushtetit politik lidhet drejtpërsëdrejti me ca interesa teje "banale" që mendja e një analisti nuk i rrok dot. Nuk ka të bëjë as me mënyrën se si po e drejton shtetin Berisha, as me mënyrën se si po e drejton Partinë Socialiste Rama. As me programin populist qeverisës të Berishës, as me mungesën e programit qeverisës të Berishës. As me premtimet në lidhje me përmbushjen e detyrimeve që kërkon road map-i i integrimit europian të vendit. Nuk ka të bëjë as me taksat, as me TVSH-rat e biznesit. Në të vërtetë, nëse ke durimin të dëgjosh njerëzit, - flas për ata që kanë interes për votimet, - do të shohësh se interesat e tyre janë ku e ku më të thjeshta e të drejtpërdrejta: ata që janë në opozitë shohin me këto zgjedhje mundësinë e rikthimit në punë, ndërsa ata që janë nëpër zyra, shohin rrezikun e humbjes së vendit të punës. Në një masë të madhe kjo aradhë njerëzish e ka këtë punësim jo domosdoshmërisht burim fitimesh të paligjshme, por më së shumti si një mënyrë për të siguruar "kafshatën e gojës". E, në këtë moment, kur shndrimi i pushtetit është i lidhur me punësimin dhe me bukën e gojës, nuk ka se si të mos të të vijë ndërmend togfjalëshi: "Vota plumb për armikun!". Në këtë rast armiku nuk është ai i Frontit Demokratik, por ai që rrezikon të të marrë vendin e punës, ose ai që të ka zënë, falë afilacionesh politike, vendin tënd të dikurshëm të punës.
Dikush mund të mbledhë buzët nga ky arsyetim "banal" me kafshata buke dhe me vende pune. Por le të bëjmë një llogaritje të thjeshtë. Administrata e shtetit shqiptar është rreth 130 mijë punonjës. Nga këta, me ndryshimin e pushtetit politik, rreth 100 mijë ose janë larguar fare nga puna, ose janë spostuar nga militantët e partisë "kundërshtare" (në këtë rast fjalët "kundërshtare" dhe "armike" janë në të vërtetë sinonime). Me afrimin e zgjedhjeve politike, rilind edhe mundësia e "ndërrimit të vendeve". Kjo do të thotë se për të paktën 200 mijë persona (nënkupto familje) votat janë vërtet "plumb".
E, që këto vota të mos jenë plumb, por, ashtu sikundër do të lipsej, do të lipsej fillimisht një mirëkuptim politik që lidhet me vetëdijen shtetformuese të politikanëve, të stabilizohej administrata publike. Ja një mënyrë se si "lufta politike" shndërrohet në një garë politike dhe vota nga plumb, shprehje e lirë e vullnetit politik dhe e delegimit të pushtetit.
3.
Ndërkohë që ky shkrim po mbyllet, në ajër kanë filluar të shfaqen edhe rezultatet e para. Ndërkohë që shkrimi do të jetë në duart e lexuesve, shqiptarët do të dinë se kush do t‘i qeverisë. Të paktën për 100 mijë shqiptarë rezultati do të jetë i rëndë si "plumbi". Për fat të keq, me ç‘duket, ka për të qenë një plumb i përsëritur. Kokëfortësia e Ramës që e mbajti opozitën të përçarë dhe i neglizhoi falë dallkaukllëkut me të cilin rrethohet së fundmi dhe që hyri në këtë garë me një dozë të lartë eksperimentalizmi, dha kështu rezultatet e veta jo për këdo të paparashikuara.
Ja ku erdhëm sërish, ashtu si çdo katër vjet, te historia e mësipërme e votave "plumb për armikun".
A mund të mos ndodhë më e njëjta histori pas kësaj dite?
Sigurisht. Nëse një vetëdije e përgjegjshme politike do të fillojë të shpërndajë pushtetin, do të dijë që pushteti të mos jetë më një mjet shtypës në duart e gjysmës për t‘i marrë shpirtin gjysmës tjetër. Nëse vërtet, ashtu sikundër dëgjoj të thuhet, nga qeverisja do të fitojnë të gjithë dhe nëse ata që do të qeverisin do të dinë ta ndajnë peshën e qeverisjes me "armiqtë" të cilët, nga sot e tutje, nuk ka përse të quhen më si të tillë, nëse vërtet dëshirojmë të hyjmë në një etapë të re, kur së paku vota të mos jetë më "plumb për armikun".
Në të kundërt do të vazhdojmë të hiqemi zvarrë në llucën e tranzicionit.
Tiranë, më 28 qershor 2009, ora 18:30