E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Arrestimi ‘shpërblim’ për dialogun

Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar lidhur me arrestimet e fundit të shtetaseve të Kosovës nga policia e Serbisë. “Pas arrestimit të Hasan Abazit dhe Adem Murselit, disa ditë më parë, Serbia vazhdon me masat policore ndaj shqiptarëve. Kësaj radhe, të arrestuarit janë dy policë të Kosovës, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri.

Ministri serb Ivica Daçiç sot dha shfaqje për publikun serb, njësoj si në kohën e ish-shefit të tij, Millosheviçit, duke nxjerrë para mediave fotografitë e policëve të Kosovës të çarmatosur, të lidhur, e të shtrirë përtokë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me keqardhje më të madhe qytetarët e Kosovës sot panë një foto turpëruese dhe revoltuese, të policëve të Kosovës të shtrirë në këmbët e xhandarëve serbë. Kjo foto të revolton pavarësisht rrethanave, sepse ngjan më shumë me pengmarrje nga ana e ndonjë organizate terroriste, se sa një veprim institucional midis dy aktorëve shtetërorë. Kjo foto lë të kuptohet dëshirën për ta parë shtetin e Kosovës të shtrirë përdhe”.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Qeveria e Kosovës me dialog me Serbinë ka dashur ta bind popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare se Serbia ka ndryshuar nga vitet e nëntëdhjeta dhe se tani ajo e meriton statusin e kandidatit, më shumë duke bërë koncesione vetë sesa duke vendosur kushte për Serbinë. “Sot, qeveria e Kosovës u mundua edhe të arsyetoj imazhet e fundit duke thënë se janë për konsum të brendshëm në Serbi, duke anashkaluar faktin se sot janë arrestuar dhe përdhosur institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje/

Sipas Vetëvendosjes, aktet e Serbisë janë larg imazhit paqedashës që po përpiqen t’i mveshin këtij vendi.

“Lëvizja Vetëvendosje, përsërit nevojën urgjente për të vendosur sovranitetin legjitim në gjithë territorin e Kosovës, “sovranitet që nënkupton institucione funksionale e efektive. Vetëm ky sovranitet republikan mund ta ringrejë Kosovën në këmbë përballë Serbisë”, thuhet pos tjerash në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›