E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Bac t’kanë rrejt, me hajna nuk ka shtet!

Në ditën e çlirimit dhe dëshmorëve, Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë, në shenjë pakënaqësie për rrugët që ka marrë vendi ynë i ka zhvilluar një aksion simbolik. Para shtatores së komandantit Legjendar Adem Jashari aktivistët e kësaj lëvizje kanë shpalosur pankartën “Bac t’kanë rrejt’, me hajna nuk ka shtet”, në momentin kur përfaqësues të institucioneve po shkonin për të vënë kurora aty.

“Sot 14 vite pas, Malisheva është katandisur nga keqqeverisja, duke filluar nga mungesa e transparencës, degradimi i edukimit, shëndetësia, shitja dhe vjedhja e pronave publike, kapja e publikes nga parapolitika, pasiguria e papunësia, e shumë e shumë dukuri tjera që nuk janë në frymën e idealeve kombëtare, por në frymën e kusarisë që s’di asgjë tjetër përveç grabitjes dhe uzurpimit të shtetit”, thuhet në një komunikatë për media nga kjo lëvizje.

Sipas VV-së ky aksion simbolik, por edhe shumë e shumë aksione tjera, janë lufta për çlirimin e mirëfilltë ku qytetarët do të respektoheshin, ku llogaridhënia do të ishte e në nivel e duhur, ku respekti për shtet dhe njëri tjetrin do të ishte një e vlerë për shoqërinë, ku dëshmorët dhe familjet e tyre nuk do të ndaheshin vetëm që i përkasin një subjekti tjetër politik, ku respekti për dëshmorët do të ishte i sinqertë, ku njerëzit do të jetonin në mirëqenie, ku njerëzit do të kishin një punë dhe ku jeta do të ishte me e sigurt e jo sikur sot, që 14 vite pas luftës ende vdesin qytetarët nga rriqrat dhe askush në Malishevë nuk është i sigurt./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›