E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grubjeshiq: S’ka më - edhe BE'ja edhe Kosova

“Më nuk mund të zhvillohet politika në dy binarë – edhe BE-ja edhe Kosova. Tani këta dy binarë janë të ndërlidhur dhe janë bërë një. Kjo do të thotë se se përparimi i Serbisë në procesin e integrimeve evropiane varet direkt dhe kryekëput nga zgjidhja e çështjes së Kosovës”, ka deklaruar zëvendskryeministrja e Serbisë, Suzana Grubjeshiq për gazetën “Veçernje Novosti”.

Zëvendëskryeministrja serbe për integrimet evropiane thekson se normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën është kusht që Serbia duhet patjetër ta përmbushë nëse dëshiron që sa më shpejt të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Normalizimi nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo u është e qartë të gjitha palëve në dialog. Por, normalizim është zbatim i marrëveshjes për vulat, kadastrin, librin amëz dhe diplomat, për të gjitha që në njëfarë mënyre lehtëson jetën e njerëzve në Kosovë. Normalizimi është edhe hapje e dialogut politik dhe implementim i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të vendkalimeve. Normalizim është edhe gjetja e zgjidhjes për veriun e Kosovës dhe çështjet pronësore dhe kthimi i serbëve të dëbuar dhe i joshqiptarëve”, ka thënë Grubjeshiq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›