VV: Dështimi për vizat – certifikatë e dështimit të Qeverisë Thaçi

Përmes një kumtese për medie, Vetëvendosje thekson se raporti i dytë mbi liberalizimin e vizave nuk është vetëm një dokument më shumë që evidenton ngecjet dhe regresin nëpër të cilin po kalon vendi ynë , por edhe certifikatë e dështimit të Hashimit, dhe njoftim për izolim.
Mund të duken pak 30 e ca faqe të cilat i solli me vete delegacioni i Komisionit Evropian, por janë pikërisht këto 30 e ca faqe që skicojnë një pikturë të qartë se si duket Kosova në sytë e Bashkimit Evropian dhe shteteve të anëtare, dhe ashtu siç është ky vend.
Ky pasqyrim përmban fakte për korrupsion, krim të organizuar, sistem të munguar gjyqësor, stagnim në të drejta të njeriut, më pak fjalë tregon se kjo qeverisje ka dështuar për të ndërtuar shtet funksional.
Zyrtarët e lartë shtetërorë u shprehën të indinjuar nga ky raport i padrejtë i Komisionit Evropian, të tjerët u zotuan për reforma. Është kjo qeveri që e solli Kosovën në këtë gjendje.
Kjo Qeveri e miratoi njëanshëm udhërrëfyesin në vitin 2009, dhe u zotua se në afat rekord do i përmbushte kushtet për liberalizim. Jemi në vitin e katërt nga dita e miratimit të udhërrëfyesit e as ligjet bazike nuk i kemi ende të miratuara, thotë ndër të tjera kumtesa./Indeksonline/