E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: EULEX është mision i dështuar

EULEX-i ka bërë lojë politike në veri dhe është mision ndërkombëtar i dështuar, i cili nuk e ka luajtur rolin e misionit për sundim të ligjit, por në vend të drejtësisë ka ndërmarrë vendime politike. Ky mision duhet të tërhiqet nga Kosova e bashkë me të edhe Qeveria e vendit. Këto janë disa nga konstatimet që i kanë dhënë sot drejtues të lëvizjes Vetëvendosje gjatë një konference për media lidhur me raportin e auditimit të misionit të EULEX-it i botuar dhe publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Misioni i EULEX-i për deputeten e Vetëvendosjes, Alma Lama, është mision i dështuar i cili në vend se të merret me punën për të cilën është i ngarkuar, ka marrë vendime politike.

“EULEX-i ka bërë lojë politike në veri, pra nuk e ka luajtur rolin e misionit për sundim të ligjit. Në vend të drejtësisë ka ndërmarrë vendime politike. Të gjithë jemi dëshmitarë të arrestimeve të shumta që kanë ndodhur atje, të disa kriminelëve, të disa kontrabandistëve dhe sërish jemi dëshmitarë të lirimit të tyre brenda 24 orësh”, ka thënë ajo.

Lama ka thënë se EULEX-i është një mision i dështuar, një mision ndërkombëtar që ka imunitet prej ligjit të vendit dhe fuqi ekzekutive mbi institucionet vendase, nuk është i drejtë dhe nuk mund të ndajë drejtësi. Sipas saj, dështimi i EULEX-it kundrejt popullsisë vendase në Kosovë dhe dështimi i tij kundrejt taksapaguesve evropianë, paraqet dy anë të së njëjtës medalje, që është “medalja e humbjes”.

Ajo ka thënë se Kosova është definuar jo si një shtet që duhet normalizuar, por si një krizë që duhet menaxhuar.

Lama ka thënë se sundimi i ligjit kurrë nuk i ka goditur shkelësit më të mëdhenj të ligjit në Kosovë, pasi, sipas saj, shkelësit e ligjit janë në majat e politikës ku janë konsideruar shumë të dobishëm për stabilitetin afatshkurtër politik ndonëse shumë të dëmshëm për shoqërinë dhe demokracinë në vend.

Kurse për Puhie Demakun nga po kjo lëvizjeje, të gjeturat për EULEX-in në raportin e publikuar nga Gjykata Evropiane e Auditorëve, nuk janë gjë tjetër pos vizë për misionin e EULEX-it për t’u tërhequr nga Kosova.

“Ky raport prej 71 faqesh, në cilëndo qeveri demokratike do të duhej të ishte një ftesë për dorëheqje apo një argument për dorëheqje. Dhe për cilindo mision i cili ka për synim suksesin do të duhej të ishte biletë kthyese për në shtëpi, për shkak se konstaton kaq shumë dështime dhe kaq shumë manipulim me taksat e evropianëve në një shtet ku nuk po synohet progres”, ka thënë ajo.

Sipas saj, raporti flet për dështime në policinë e Kosovës, në gjyqësorin e Kosovës, në luftën kundër korrupsionit dhe në veriun e Kosovës. Ajo ka thënë se si dështim kryesor, raporti përmend edhe pamundësinë e hetimit të krimeve serioze për shkak të papërvojës, por mbi të gjitha të ndërhyrjeve politike.

Demaku ka thënë se ky raport është një dëshmi se mekanizmat e sundimit të ligjit të importuara nga jashtë nuk funksionojnë, sidomos kur kanë mandate ekzekutive, siç kishte UNMIK-u dikur dhe siç ka EULEX-i sot. Ky mision, sipas Demakut, nuk i raporton qeverisë së Kosovës, por një instance nga jashtë ku për pasojë i bie se ata nuk janë të pavarur në punën e tyre.

Ajo vlerëson se ky raport është një dëshmi e një qeverie të korruptuar që duhet të dorëhiqet dhe është dëshmi e një misioni ndërkombëtar të dështuar që duhet të tërhiqet. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›