VV: Eliminimi politik i Fatmir Limajt

Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar për rastin e paraburgimit të Fatmir Limajt dhe tre bashkëluftëtarëve të tij. Vetëvendosje thotë se pas dështimit fillimisht të rastit Kleçka, ai u riaktualizua përsëri, tash për hesape politike, thotë Vetëvendosje.
“Pse pikërisht tani dhe pse masa e paraburgimit? Fatmir Limaj deri më tash gjithmonë i është përgjigjur thirrjeve të gjykatave vullnetarisht, qoftë gjykatës në Hagë, qoftë gjykatave vendore. Ai edhe këtë herë u kthye nga Shqipëria për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, atëherë përse masa e paraburgimit?”, pyet lëvizja Vetëvendosje.
Ata përmes një komunikate për media, thonë se gjykimi ndaj Fatmir Limajt është gjyqësi selektive. “Duan ta paraqesin Limajn si shumë të korruptuar dhe Thaçin si aspak të korruptuar”.
“Atij iu ngrit aktakuza edhe për keqpërdorim dhe korrupsion në Ministrinë e Transportit, por ai rast akoma nuk ka filluar të procedohet, përkundër që bastisja dhe hetimet kanë filluar qysh dy vite më parë. Derisa rasti i MTK-së po zvarritet me vite, ai i Kleçkës po procedohet me urgjencë. Sepse Fatmir Limajn po duan ta gjykojnë si luftëtar të UÇK-së e jo si ministër. Duan ta njollosin luftën e popullit për çlirim e jo punën e qeverisë”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
“UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe Serbia ka bërë krime. Për më tepër, pikërisht Nikoliq e Daçiq, si dy duar të djathta të Milosheviqit dhe Sheshelit, ishin në krye të atyre krimeve para 13 vjetëve dhe tash janë bashkë në koalicionin qeverisës në Beograd”, thotë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka shtuar se vendimi për rihapjen e rastit Kleçka është vendim për eliminimin politik të Fatmir Limajt.
“Ai u mor pasi Fatmir Limaj filloi të kërkonte demokraci brenda subjektit të tij PDK-së. Tani kur po bëhen zgjedhjet në subjektin e tij, Fatmir Limaj paraqitet pengesë në planin për uzurpimin total të PDK-së nga SHIK-u. Si duket nuk mund të lejohet që Fatmir Limaj të kontestonte pozicionimin e Kadri Veselit në parti. EULEX-i po i lufton kundërshtarët e brendshëm politikë të Hashim Thaçit”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Vetëvendosje, më tutje thotë se s’duhet të harrojmë që EULEX-i nuk mund të ndajë drejtësi, aq më pak për çështjet e luftës, gjersa nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka imunitet prej ligjit në Kosovë dhe fuqi ekzekutive mbi institucionet e Kosovës të cilave nuk u jep llogari.
“Burgosja e tij mund të jetë edhe element shtytës për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë në dialogun në mes Thaçit dhe Daçiqit. Në këtë mënyrë Hashim Thaçi do t’ia dëshmonte Daçiqit, që nuk është më ai Thaçi i dikurshëm, që figuron në padinë serbe për terrorizëm, por Thaçi i pajtimit me Serbinë”, thuhet në fund të kësaj komunikate./Indeksonline/