VV: KK i Mitrovicës të respektojë vendimin e gjykatës

Lëvizja Vetëvendosje dënoi ashpër sulmin e orkestruar ndaj RTV Mitrovicës, nga ana e administratës së Kuvendit Komunal në Mitrovicë, me anë të militantëve partiakë të PDK-së. Sulmi fizik ndaj punëtorëve të RTV Mitrovica është presion direkt i partisë në pushtet ndaj një mediumi që po i reziston varësisë politike nga ta, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizje.
Gjithashtu, manipulimi që kjo administratë po bën me shoqatën e personave me aftësi të kufizuara “Handikos”, duke ju caktuar në mënyrë jo të rregullt objektin në të cilin tashmë punon RTV Mitrovica, është jo vetëm injorim i vendimit të gjykatës për këtë rast, por edhe akt që shpalos injorimin e nevojave të vërteta ndaj këtyre personave dhe kujdesin për ta. Për më tepër, infiltrimi i militantëve partiakë në mesin e tyre është njollosje e qëllimshme e kësaj organizate.
VV kërkon nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të heqë dorë nga nxitja e akteve të paligjshme për interesa partiake e në dëm të interesave qytetare dhe lirisë së mediave./Indeksonline/